Bashkia e Skraparit depozitoi mëngjesin e sotëm në organin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat,padinë penale për “shpërdorim detyre” ndaj prefektit të qarkut të Beratit, Harrilla Dafa.
Lajmi është bërë i ditur nga Kryetari i bashkisë së Skraparit, Nesim Spahiu,i cili akuzon prefektin se ka shkelur proçedurat ligjore për zhvillimin e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak
Kryebashkiaku i Skraparit, Nesim Spahiu, ka bërë të ditur se, mbledhja e Këshillit Bashkiak, e zhvilluar në 4 Janar 2019, për buxhetin e bashkisë Skrapar, është thirur nga Prefekti i Beratit Harrilla Dafa, vetëm me prezencën e këshilltarëve të Partisë Socialiste.
Sipas kryebashkiut Nesim Spahiu,shkak i kësaj padie ka qënë veprimi antiligjor i Prefektit të Beratit, Harrilla Dafa, i cili në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore, ka organizuar mbledhjen e këshillit bashkiak Skrapar,pa prezencën jo vetëm të Kryetarit të bashkisë së Skraparit, por pa prezencën edhe të përfaqësuesve të kësaj bashkie.
Ndërkohë mbledhjet duhet ti thërrasë kryetari i bashkisë dhe prezenca e tij dhe e administratës bashkiake është e domosdoshme në diskutimet për buxhetin.
Në këtë mbledhje të jashtëligjshme,pohon Spahiu, me votat e këshilltarëve socialistë, është vendosur shkurtimi drastik në nivelin 50% të buxhetit të Bashkisë së Skraparit. “Ky votim antiligjor ka bërë që 65% e stafit të administratës së bashkisë së Skraparit të reduktohet dhe 148 punonjës të kësaj bashkie të flaken në rrugë”
Sipas Spahiut, ky veprim është urdhëruar dhe nga deputeti i rilindjes në Skrapar, Adnor Shameti.
Për të gjitha këto arsye,bashkia e Skraparit ka bërë gati padinë penale ndaj Prefektit të Beratit,Harrilla Dafa për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të proçedurave ligjore” dhe e ka depzituar atë sot në organin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat.
Edhe organi i prokurorisë Berat ka konfirmuar mbërritjen e padisë penale pranë këtij institucioni.
Reagimi- Sipas prefektit Harrilla Dafa, ka qënë vetë kryebashkiaku i Skraparit ai që i ka kërkuar të thërrasë mbledhjen e dytë të këshillit bashkiak për miratimin e buxhetit. Si prefekt-tha Dafa-unë caktova datën 28 Dhjetor për të zhvilluar mbledhjen,por-sipas Dafës-ai vetëm ka caktuar datën e mbledhjes dhe ka asistuar në të, siç e parashikon ligji por nuk e ka drejtuar mbledhjen e këshillit. Edhe në dt.28 Dhjetor-ka thënë Dafa-nuk u zhvillua mbledhja e këshillit bashkiak por u anullua dhe kjo bëri që ai të caktonte datën 4 Janar si ditën e zhvillimit të mbledhjes së tretë të Këshillit Bashkiak Skrapar. Edhe pse bashkia e Skraparit nuk mori pjesë në mbledhje-tha Dafa-mbledhja e Këshillit Bashkiak u zhvillua me praninë e shumicës së këshilltarëve,që janë të PS-së dhe u vendos miratimi i buxhetit të vitit 2019,me të gjitha ndryshimet e kërkuara, vendim që ka mbërritur pranë institucionit të Prefektit dhe po verifikohet nga juristët.