Partia Demokratike kritikoi ashpër deklaratën e bërë nga Prokurorja e Krimeve të Rënda Donika Prela, e cila në përgjigje për zyrtarët e ONM-së tha se bashkëshorti i saj nuk ka pse të paguajë taksa, pasi Shqipëria nuk është vend i BE-së.
Sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata shtoi se problemi më i thellë në vend është standardi i dyfishtë i procesit të vetingut. Ai u shpreh mes tjerash se prokurorja Donika Prela nuk duhet të qëndrojë për asnjë sekondë në atë detyrë, sidomos pas deklaratave të fundit.
Gjata nënvizoi se bashkëshorti i saj edhe kur nuk paguan taksa falet nga ligji, ndërsa biznesmenët e tjerë burgosen sepse nuk kanë lidhje e përkrahje politike.
“Çështja është se çfarë deklaroi kjo zonjë para organeve të vetingut. Në momentin që zyrtari i ONM-së e pyeti Donika Prelën se pse bashkëshortin i saj nuk paguan taksa. Ajo tha se nuk kemi të njëjtin standard, sepse Shqipëria nuk është vend i BE-së. Kjo ishte pak a shumë logjika e gjithë deklaratës së saj. Bashkëshorti i saj falet dhe nuk ka asnjë përgjegjësi kur nuk paguan taksa. Biznesmenët pa përkrahje politike, që nuk kanë lidhje me pushtetit, që i shërbejnë qytetarëve futen në burg. Double standardi në veting. Kemi një shkelje të prokurores së krimeve të rënda Donika Prelës, e cila nuk duhet të qëndrojë në detyrë vetëm për këtë shkak. Prela mban të mbyllura dosjet në favor të pushtetit dhe të kryeministrit, duke nisur nga dosja 339 e Dakos, i cili është kapur në shit-blerje votash.”, tha ai.