Me rastin e 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të atit të Pavarësisë së Shqipërisë, Bashkia e Tiranës, nderoi sot figurën dhe kontributin e tij në hedhjen e themeleve të shtetit shqiptar.
Bashkia e Tiranës në bashkëpunim edhe me Ambasadën e Italisë, organizoi një sërë aktivitetesh dedikuar posaçërisht Ismail Qemalit, në gjimnazin që mban emrin e tij, tashmë tërësisht i rikonstruar.
Pjesë e këtyre aktiviteteve u bë edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj si dhe ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo.
Fillimisht ata mbollën disa pemë në oborrin e shkollës, si simbol i përjetësisë së emrit dhe veprës së Ismail Qemalit, ndërsa vizituan edhe një ekspozitë me foto dhe piktura të organizuar nga nxënësit e shkollës.
Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi rolin që luajti Ismail Qemali në historinë e Shqipërisë dhe theksoi rëndësinë që ka kontributi edhe i një njeriu të vetëm në shoqëri.
“Nuk e di nëse do të kishim të njëjtin fat si komb apo të njëjtin përfundim si përpjekje, nëse ky njeri nuk do të ekzistonte.
Këtë ndoshta nuk do ta dimë kurrë, por ajo që dimë është që: Po, një njeri mund ta ndryshojë botën.
Pra, një njeri ka fuqi të bindë katër vetë për të marrë një vendim për familjen.
Por, në qoftë se mund të bindim një familje, a mund të bindim një shkallë pallati? Nga nisma e një qytetari ndryshon politika e një qyteti.
Kështu, miqtë e mi, sidomos ju që jeni më të rinj, nëse doni një provë se si një njeri mund të ndryshojë fatet e një kombi, besoj se inkurajimi më i madh është jeta e Ismail Qemalit”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Gjithashtu, Veliaj shtoi se historia e Ismail Qemalit duhet t’i shërbejë shumë të rinjve edhe për të çuar përpara idetë e tyre, pavarësisht faktit nëse ato mund të kundërshtohen nga të tjerët. “Ndonjëherë të bësh gjënë e drejtë apo gjënë e duhur, nuk të bën njeriun më popullor. Nëse ka një mësim për ju sot është: E di çfarë, punë e madhe nëse një ide që ju besoni fort nuk është ideja më popullore dhe punë e madhe çfarë statusesh mund të bëjë dikush kundër idesë suaj; punë e madhe nëse njerëzit ju përgojojnë.
Asnjë njeri nuk e ka ndryshuar botën nga tavolina e kafesë.
E kanë ndryshuar ata që ndoshta fillimisht janë përbuzur, janë përgojuar, por në fund të ditës i kanë mbajtur sytë tek përfundimi”, u shpreh Veliaj.
Ai theksoi se sot mjetet e komunikimit dhe lëvizjes mund ta bëjnë një shqiptar shumë herë më të dobishëm për interesat e vendit, pavarësisht nëse mund të jetojë brenda kufijve apo mund të jetë diku në një vend tjetër sado larg. “Ismail Qemali ishte shembulli se Shqipërinë mund ta doje në Stamboll, në zemër të Perandorisë që na kishte pushtuar për 500 vjet; Shqipërinë mund ta doje në Paris, mund ta doje në Londër, mund ta doje kudo.
Pra, secili prej nesh, në varësi të rrugëtimeve që do të ketë në jetë, disa ndoshta do të largohen për të studiuar në Itali, por ne mund të jemi të dobishëm kudo.
Nëse dikush ishte i dobishëm në atë kohë, 100 vite më parë, me letrat, mesazhet e porositë dhe organizimet që merrnin shumë kohë dhe shumë energji, shumë distancë, sot në epokën moderne mund të jemi ambasadorë të Shqipërisë kudo.
Një nxënës, një student i shkëlqyer, një talent mund t’i sjellë emër të mirë vendit tonë kudoqoftë ai”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku kërkoi nga të rinjtë e këtij gjimnazi që të jenë bashkëpunues dhe të mbështesin njeri-tjetrin, pasi vetëm kështu mund të ecin përpara në jetë, por edhe duke kontribuar për vendin.
Ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo vlerësoi Ismail Qemalin si një figurë që kishte reputacion të lartë edhe në Itali, ku dhe kaloi ditët e fundit të jetës, ndërsa falenderoi Bashkinë e Tiranës që nëpërmjet punës po përmirëson kushtet në të gjitha shkollat e Tiranës.
“Motivi për të cilin jam këtu është se ky gjimnaz i shkëlqyer ka në gjirin e tij edhe një seksion dygjuhësh italo-shqiptar dhe mendojmë se kjo është një formulë tejet e rëndësishme për të pasuruar më tej formimin dhe arsimimin e nxënësve shqiptarë, duke bërë të mundur që, krahas mësimit të një gjuhe të huaj, të mësojnë edhe lëndë të ndryshme në gjuhë të huaj, pra për të përjetuar nga afër një gjuhë të huaj dhe kulturën e saj”, tha Cutillo.