Bashkim Fino ka dhënë një koment në lidhje me ndryshimet në kabinetin qeveritar. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Mapo”, deputeti socialist ngre disa pikëpyetje referuar pjesës politike, ku nuk nguron të theksojë se mund të mos ishte dakord.
“Qeverinë e re e lexoj si një qeveri të bërë në rregull nga ana kushtetuese, e cila e përcakton qartë se përbërja e qeverisë është detyrë e kryeministrit. Nga kjo pikëpamje, nuk kam të drejtë të komentoj anën kushtetuese të ndryshimeve.
Por miratimi që i kemi bërë ne është politik, dhe përsa i përket pjesës politike, mbase, personalisht mund të mos isha dakord”, shprehet Fino, ndërsa thekson se pa grupin parlamentar, qeveria “Rama2” nuk do të kishte jetë.
Po ashtu Fino ka komentuar edhe emërimin e Erjon Braçes në postin e zv.kryeministrit. Sipas tij, kjo zgjedhje ndoshta duhej të ishte bërë më herët, dhe se ka mbështetjen e PS.
“Unë do ta komentoj me një batutë shumë interesante. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë e PS-së, kur Rama prezantoi qeverinë e re, e gjithë Asambleja ishte në heshtje varri.
Dhe, kur në fund tha zv.kryeministër do të jetë filani, pati një duartrokitje në sallë. Kjo duartrokitje erdhi instiktivisht, dhe ishte një duartrokitje zemre politike socialiste, të cilën Rama duhet ta lexojë mirë.
Rama duhet ta lexojë vërtet mirë atë duartrokitje të Asamblesë Kombëtare të PS-së për zgjedhjen e Erjon Braçes si zv.kryeministër. Një zv.kryeministër i goditur, i vonuar, i ardhur në qeverinë Rama, ku duhej të ishte më përpara”, tha Fino.