Serbia ka reaguar me anë të ministrit të jashtëm, Ivica Daçiç pas letrës që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u dërgoi kryeministrave në të gjithë botën.
Daçiç ka thënë se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk është i vetëdijshëm për situatën në të cilën gjendet.
“Nëse është ashtu, pse nuk bëhen anëtarë në Kombet e Bashkuara, INTERPOL ose UNESCO? Pse 13 shtete i kanë tërhequr njohjet dhe pse tani SHBA dhe BE pranojnë që të kërkohet një kompromis?”, deklaroi Daçiç për “Veçernje Novosti”.
Haradinaj në letrën e tij kishte shkruar se statusi i Kosovës është konfirmuar më 17 shkurt të vitit 2008 me shpalljen e pavarësisë dhe se dialogu me Serbinë ka për qëllim normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë me njohje të ndërsjella dhe se Kosova bisedon me Serbinë si shtet sovran.