Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka ankimuar zgjatjen e afatit të hetimeve ndaj tij, duke kërkuar që çështja të shkojë në Gjykatë.
Gjatë hedhjes së shortit është zgjedhur gjyqtarja, Liljana Baku e cila më datë 6 shkurt do shqyrtojë çështjen e tij.
Prokuroria e Krimeve të Rënda më herët njoftoi se do të zgjasë edhe me tre muaj afatet e hetimit për ish-ministrin Tahiri.
Mësohet se shkak për zgjatjen e hetimeve është bërë letër-porosia që autoritetet shqiptare i kanë dërguar Malit të Zi dhe Katanias.
Dosja nuk mund të dërgohet për gjykim nëse nuk ka përfunduar procesi i hetimit pasi përgjigja ende nuk ka ardhur.
Bëjmë me dije se ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ka qënë në hetim nga prokuroria italiane prej datës 27 tetor 2017, nga prokuroria e Katanias me akuzën e trafikut të drogës mbi bazën e përgjimeve të çështjes Habilaj.
Nga përgjimet e kryera flitej për 30 mijë euro që grupi Habilaj kishte për t’i dhënë një personi me emrin Saimir dhe bizhuteri për gruan e tij. Pas kësaj provat nuk ishin të mjaftueshme që e përfshinin Tahirin në aktivitetin kriminal të Habilajve. Autoritetet italiane kërkuan mbylljen e çështjes, ndërsa pak javë më parë Tahiri depozitoi në prokurorinë e Krimeve të Rënda edhe vendimin e prokurorisë së Katanias.
I gjithë grupi Habilaj u vu nën hetim nga prokuroria e Katanias ku u dërgua në gjykim me akuzën e trafikut të tonelatave të kanabisit dhe disa armëve kallashnikov në Itali.
Banda kriminale kryesohej nga Moisi Habilaj, dhe Prokuroria e Katanias kërkoi 18 vite burg dhe një shekull për të gjithë pjesëtarët e bandës së tij.