Policia maqedonase ndaloi pasditen e së merkurës ish-Kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski dhe dy ish-anëtarë të qeverisë së Nikolla Gruevskit, nën dyshimin e përfshirjes se tyre në organizimin e ngjarjeve të dhunshme në parlament, prillin e vitit 2017. Të ndaluarit u dërguan në Gjykatën Themelore në Shkup, por ndërkohë, një pjesë e shtypit vendas, duke cituar burime brenda prokurorisë, thotë se edhe për ish-kryeministrin Gruevski është lëshuar urdhër-arresti, po për këtë çështje. Gruesvki vazhdon te mbetet në Hungari, ku ka gjetur strehim, duke iu shmangur në këtë mënyrë drejtësisë pas denimit me dy vjet burg për korrupsion në tenderin për blerjen e një makine Mercedes me vlerë prej rreth 600 mijë eurosh. Një prej dëshmitarëve në procesin gjyqesor, Aleksandar Vasilevski i njohur me nofkën “Ninxha” pat pohuar se kishte qene pikerisht Gruevski organizatori i ngjarjeve të dhunshme ne parlament. Sipas tij, planet dhe urdhërat merreshin nga selia e partisë VMRO-DPMNE. Gjate gjyqit është lexuar një mesazh inkriminues telefonik i dërguar nga Nikolla Gruevski ish-Drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov si dhe një SMS e Veljanovskit ku thuhej: “Nëse duhet, edhe me mburojë të gjallë do ta pengojmë zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit”.