Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, ka thirrur pasditen e sotme seancën parlamentare, pas shtytjes që ju bë të enjten e kaluar, për të shmangur tensionet si pasojë e protestës së opozitës.
Por kjo është seanca e parë që mbahet, pasi që nga e enjtja opozita ka djegur mandatet e deputetëve dhe nuk do të jetë më në Kuvend.
Kësisoj pritet të shihet se si do të zhvillohen punimet dhe në të njëjtën kohë edhe qëndrimi i opozitës, lidhur me seancën e sotme.
Vendimi për mbajtjen e seancës u mor paraditen e sotme gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve.
Gjatë seancës së sotme pritet të miratohet struktura dhe buxheti i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Prokurorisë.
Ndërkohë opozita ka lajmëruar zhvillimin e protestave të vazhdueshme, ku më e afërta është të enjten, kur dhe mblidhet zakonisht parlamenti. Kjo gjë është paralajmëruar të vijojë deri në krijimin e një qeverie tranzitore, mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.