“Rrëmbehu nga Shqipëria”. Është kjo fushata më e re e ndërmarrë nga ministria e Turizmit, për të sjellë më tepër turistë të huaj në vendin tonë. Nisur nga filmi “TAKEN” ku personazhi shqiptar emërtohet si rrëmbyes i një vajze, ministria e Turizimit risjell një video ku i kërkon aktorit kryesor Liam Neeson, por edhe gjithë të huajve ta vizitojnë Shqipërinë.
Në aeroportin “Nënë Terreza” prej nga vijnë pjesa më e madhe e turistëve të huaj, u lançua fushata ndërkombëtare digjitale e Turizmit 2019 “Be taken by ALBANIA”. Ministri i Turizmit Blendi Klosi tha se duhet kombinuar turizmi me traditën.
Klosi: Të bukurën shqiptare duam t’ia ofrojmë turizmit, duam të integrohemi në familjen e Bashkimit Evropian duke i ofruar asaj bukurinë e natyrës shqiptare, energjinë tonë rinore, t’i ofrojmë ushqimet bio dhe mbi të gjitha t’i ofrojmë Evropës turizmin shqiptar, mikpritjen, buzëqeshjen e të rinjve shqiptarë.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe ambasadori i BE Luigi Sorecca, i cili tha se objektivi i kësaj fushate janë të gjithë ata që nuk kanë shkelur në Shqipëri.
Soreca: Shumica e shqiptarëve që jetojnë në vendet e BE janë njerëz të ndershëm që punojnë fort. Ata janë profesionistë të vërtetë dhe të respektuar. Por lajmet e mira nuk dalin në lajme. Kështu që ne na duhen iniciativa si kjo që t’u tregojmë njerëzve se cila është Shqipëria e vërtetë.
Ndërsa Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Adrian Maitre i ka bërë apel klasës politike që dialogu të bëhet në Parlament, pasi kjo ndihmon edhe në imazhin pozitiv të vendit.