Tahiri: Politika krimi dhe drejtësia janë aq bashkë sa ati, biri dhe shpirti i shenjtë

0
365
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri i janë komunikuar akuzat sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Prokuroria për Krime të rënda mbylli dje hetimet dhe çoi dosjen në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”. Duke komentuar akuzat pas 45 minutave në zyrën e prokurorëve të çështjes, Tahiri ironizoi se pas Aldo Bares ndoshta është i dyti me këtë akuzë. Ndonëse tha se do respektojë drejtësinë, ish-ministri tha se kjo pritej duke e cilësuar proces të turpshëm, politik e të komanduar.
Tahiri nuk pranoi të thoshte se nga komandohet prokuroria në akuzat e ngritura ndaj tij, por tha se politika krimi dhe drejtësia janë aq bashkë sa ç’ështe dhe ati, biri dhe shpirti i shenjtë.

Zoti Tahiri jeni i pari ish-ministër që keni akuza kaq të rënda…
Akuza ishte më e rëndë se kaq, ishte trafik droge, krijim i grupit të strukturuar kriminal, vepra panel. Mendoj se pas Aldo Bares ndoshta jam i dyti me këtë akuzë. Nuk ka ndonjë surprizë të madhe. Prokuroria e komanduar siç e nisi e bitisi këtë histori. Pavarësisht nxitjes që kam nga brenda, nuk dua të merrem. Dua të respektoj drejtësinë. Do vazhdoj t’i shkoj drejtësisë deri në fund edhe duke besuar.

Kur flisni për prokurori të komanduar nga cila anë?

Kjo historia ime lindi si një proces politik dhe kur them i komanduar kam parasysh politikën, krimin dhe drejtësinë që janë aq bashkë sa ç’ështe dhe ati, biri dhe shpirti i shenjtë. Nuk janë ndarë ende dhe unë po e shoh.

Cilat ishin provat e reja?
Nuk kam parë asnjë. Do e shoh në vazhdim.

Të gjithë personat e tjerë të akuzuar si ju mbahen në arrest me këtë akuzë. A keni frikë se prokuroria do kërkojë burg për ju?
Nuk më frikëson asgjë veç të vërtetës. Nuk më intereson se ç’bën prokuroria. Më intereson vetëm e vërteta. Di që ky është një proces i turpshëm, politik nga fillimi deri në fund, i komanduar, unë jam mësuar me vështirësi dhe besoj se do ia dal.

HETIMET
Prokuroria për Krime të Rënda akuzon Tahirin për favorizim të grupit kriminal Habilaj në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë.
Bashkë me ish-ministrin të pandehur janë marrë edhe tre ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Vlorës, Jaeld Cela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode, të cilët jetojnë në arrati prej më shumë se një viti e gjysmë. Konkretisht ndaj tyre rëndojnë akuzat e trafikut të narkotikëve në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, grupi i strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave nga organizata kriminale. Në dosjen e prokurorisë, e cila bazohet kryesisht në materiale të ardhura nga Italia, Mali i Zi dhe Greqia, si dhe përgjimet telefonike, thuhet se ish-ministri dhe tre ish-zyrtarët e policisë së Vlorës kanë krijuar kushtet e favorshme që pjesëtarët e grupit kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj, të ushtronin të qetë aktivitetin e paligjshëm të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë.

Hetimet për Tahirin nisën në tetor të 2017 pas arrestimit në Catania të Moisi Habilajt dhe anëtarëve të grupit të drejtuar prej tij. Përgjatë dy viteve ish-ministri ka zhvilluar disa betaja me gjykatën, duke ia dalë të rrëzojë prokurorinë, në të paktën tri raste. Njëherë kur rimori dokumentat e identifikimit, më vonë, kur Apeli i hoqi masën e sigurisë “arrest shtëpiak”, që kishte caktuar ndaj tij gjykata e shkallës së parë për Krime të Rënda, e së fundmi, kur bindi gjykatën të urdhëtonte prokurorinë për të përfunduar hetimet dhe t’i jepte zgjidhje cështjes së tij.

Zjarr Tv Ad