Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski pas akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre i ka shpëtuar drejtësisë. Raportohet se autoritetet hungareze kanë ndërprerë hetimin ndaj ish-kryeministrit në arrati, Nikolla Gruevski. Gjatë kalimit të kufirit të Serbisë me Hungarinë, Gruevski mësohet se ka pasur dokumente udhëtimi të ligjshme. Kjo është konfirmuar nga policia hungareze, e cila sipas mediave vendase ka ndërprerë edhe hetimet ndaj tij.
“Gjatë hetimit është përcaktuar se Gruevski ka poseduar dokumente udhëtime të ligjshme në kufirin e Hungarisë me Serbinë dhe në vendkalimet e tjera kufitare si edhe se hyrja e tij në Zonën e Shengenit ka qenë në pajtim me rregullat ligjore”, thuhet në raportin policor hungarez me të cilin është mbyllur hetimi për rastin.
Në raportin e Sektorit policor të Hungarisë për Migrim Ilegal thuhet se Nikolla Gruevksi nuk ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Kjo mbetet si një pistë dyshuese, pasi mediat vendase shkruajnë se nuk janë publikuar dokumentet, që ish-kryeministri i Maqedonisë ka përdorur në kohën kur ka hyrë në tokën hungareze.