Te PD dhe LSI vijojnë rrjedhjet. Kështu, katër kandidatë të tjerë kanë dorëzuar formularin e dekriminalizimit në KQZ. Kjo pasi kërkojnë të marrin mandatin e deputetit. Bëhet e ditur se ditën e sotme kanë dorëzuar formularin Elda Hoti kandidate në Lezhë dhe Ediola Pashaj në Gjirokastër, të dyja këto nga radhët e LSI.
Gjithashtu kanë dorëzuar formularin e dekriminalizimit edhe dy kandidatë nga PD, konkretisht Majlinda Halilaj në listën e Tiranës dhe Ligoraq Karamelo, në listën e PD në Korçë.
Kujtojmë këtu se një ditë më parë 4 kanditatë kanë marrë mandatin e deputetit dhe pritet të betohen sot ne Kuvend.
Dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që t’i japë mandatin e deputetit kandidatit Edmond Abazi, duke zëvendësuar në këtë mënyrë ish-deputetin e LSI-së, Endrit Braimllari. Gjithashtu, Aurora Mara ka marrë mandatin e deputetes, duke zëvendësuar ish-deputetin e Dibrës, Përparim Spahiu.
Enver Roshi në qarkun e Elbasanit po kështu do të jetë deputet i LSI-së në Kuvend, në vend të Haxhinastos. Një tjetër kandidat në listën shumëemërore të LSI-së që ka kërkuar të hyjë në parlament është edhe Ylli Shehu.
Ai ka rezultuar i dënuar me 200 mijë lekë gjobë dhe një gjë të tillë ai e ka deklaruar edhe vetë në formularin e vetëdeklarimit. Por, KQZ vendosi t’i japë kandidatin edhe Shehut, përfaqësues i Qarkut Tiranë, i cili zëvendëson Floida Kërpaçin.