Kryeministri i Kosovës, Haradinaj, ka ftuar në Prishtinë homologen nga Beogradi, Ana Bërnabiç, një ftesë e cila në rast se do të pranohet, do të shënojë vizitën e parë të këtij lloji që prej luftës mes dy vendeve. Haradinaj njoftoi se ka ndërmend të mbledhë një tryezë në fillim të prillit me praninë e të gjithë Kryeministrave të rajonit dhe se thirrja për pjesëmarrje do të shkojë edhe në Beograd.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se do të thërrasë një takim të liderëve të Ballkanit në fillim të muajit prill në Prishtinë, çka nënkupton se në listën e të ftuarve është edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabic.
Shefi i ekzekutivit kosovar, tha gjatë një mbledhjeje të qeverisë se kërkon dakordësinë e të gjithë kabinetit për të zhvilluar një mini-samit të tillë, ku do të diskutohet për procesin integrues drejt Bashkimit Europian.
“Kërkoj dakordimin tuaj që të fillim të Prillit të ftoj Kryeministrin e Shqipërisë, të Maqedonisë, Malit të Zi, e pastaj, shpresoj të Kroacisë e Bosnjës, dhe nëse vjen, edhe atë të Serbisë, por besoj se kjo do të jetë e vështirë”, tha Haradinaj në takim.
Në rast se ftesa e Haradinaj do të pranohet, Bernabiç mund të jetë Kryeministrja e Parë e Serbisë që viziton Prishtinën që nga lufta.
Gjithësesi, mbetet të shihet përgjigjia që do të japë shefja e ekzekutivit serb mbi këtë çështje.
Aktualisht, marrëdhëniet mbeten të tensionuara për shkak të taksës 100% të vendosur nga autoritetet e Kosovës mbi produktet që importohen nga Serbia.
Për këtë arsye, Beogradi zyrtar ka ndërprerë procesin negociator që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.
Nga ana tjetër, ekipi negociator i Prishtinës vijon ende të kontestohet nga dy partitë opozitare që janë Vetëvendosja dhe LDK-ja.