Komisioni i Integrimit u përfshi në debate mbi vendimin e Ministrit në detyrë Gent Cakaj, për të shkarkuar dhe transferuar mbi 20 diplomatë. I pyetur nga deputetja Rudina Hajari, Cakaj tha se shumë diplomatq nuk janë në lartësinë e duhur. Duke folur për negociatat, Ministri i Jashtëm në detyrë foli për dy skepticizma, vetë zhvillimet brenda BE-së dhe dyshimi tek arritjet e Shqipërisë.
I ftuar në Komisionin e Integrimit për çëshjen e negociatave me BE, Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj debatoi me deputeten e opozitës Rudina Hajdari, për çështjen e shkarkimit të 20 diplomatëve.
Hajdari kërkoi shpjegime mbi arsyen pse kjo fshesë në diplomaci, ndërsa Cakaj informoi se një pjesë e diplomatëve do lirohen nga shërbimi, ndërsa pjesa tjetër do të transferohet.
Hajdari: Uroj shumë që vendimi të mos jetë represiv, me qëllime politike, pa ndonjë dobi për shërbimin diplomatik shqiptar.
Cakaj: Midis cënimit të individualitetit që ju thoni dhe instalizimit të një administrate serioze, mbizotëron nevoja për ta instaluar të dytën dhe jo dëshira për ta ruajtur me çdo kusht të parën.
Ministri në detyrë, teksa vlerësoi punën e paraardhësit të tij Ditmir Bushati, tha se në diplomaci ka individë që nuk janë në lartësinë e duhur.
Cakaj: Edhe grupet e posaçme të punës konstatojnë nevojë për një lëvizje të tillë dhe ky nuk është vendim arbitrar por fillimi i një reformë të nevojshme që është e vonuar dhe ka nevojë të thellohet.
Reforma në diplomaci gjeti mbështetjen e nënkryetarit të Këshillit të Integrimit, deputetit Taulant Balla.
Balla: Për atë që po bëni me shërbimin konsullor apo dhe dilplomatik, më duken pak, do kisha pritur më shumë.
Taulant Balla,shigjetoi opozitën, kur tha se po lobon për të penguar emërimin e Ambasadorëve të huaj në vendin tonë.
Balla: Mbaroi hallet e Shqipërisë dhe tani merret edhe me lobingun kundër Ambasadorëve të vendeve të tjera që duhet të vinë në Shqipëri, harxhon dhe para madje për këtë punë.
Duke folur për skepticizmin që shoqëron integrimin vendit, Cakaj tha se problem mbetet situata brenda vetë Bashkimit Evropian por dhe besueshmëria tek arritjet e Shqipërisë.