Është mbajtur sot në Gjykatën e Apelit, seanca gjyqësore në ngarkim të Ervin Matës.
Gjykata la në fuqi vendimin e shkallës së parë të gjyqësorit, ku i riu do të hetohet në gjendje të lirë, duke u konfirmuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Seanca u mbajt pasi teksa Gjykata e Tiranës vendosi “detyrim paraqitje” ndaj të fejuarit të këngëtares Elvana Gjata, organi i akuzës e ankimoi vendimin.
31-vjeçari akuzohet për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë” në bashkëpunim dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Gjatë dëshmisë Mata ka mohuar që të ketë qëlluar në ngjarjen e 4 tetorit të lënë pas, duke thënë se u largua nga frika pas të shtënave.
Po ashtu ka pohuar se gjatë muajve të arratisë, ka qëndruar në Tiranë.
Sipas prokurorisë shkak për përplasjen mes dy grupeve që përfundoi me vrasjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve është bërë këngëtarja, por kjo gjë është mohuar nga Elvana Gjata.
Ervin Mata u vetëdorëzua në polici pas katër muajsh, si i dyshuar për ngjarjen ku në lokalin në rrugën “Ibrahim Rugova” në ish-Bllok më 4 tetor, u plagosën me armë zjarri Ervis Martinaj, 36 vjeç dhe Eljon Hato, 28 vjeç, si dhe mbeti i vrarë Fabian Gaxha, 28 vjeç.
Uniformat blu bënë arrestimin në flagrancë të dy të plagosurve dhe shpalljen në kërkim tre të tjerë. Pas vetëdorëzimit të Matës, në kërkim vijon të jetë truproja dhe kushëriri i Elvana Gjatës, Mervjol Bilo, 41 vjeç, dhe Eldi Dizdari, bashkëshorti i ish-Missit Suada Sherifi.