Që në Qershor të 2016, Mbretëria e Bashkuar ka qenë në një gjendje aspak stabël përsa i përket rolit të tyre në arenën europiane. Britanikët morrën një vendim shumë të rëndësishëm për të ardhmen e tyre në lidhje me Bashkimin Europian; shfrytëzuan pushtetin e votës së tyre dhe, me anë të një referendumi, i thanë “mjaft më” kësaj bashkësie ndërkombëtare. Për më tepër, partitë më të mëdha janë në një kolaps total.
Laburistët ende nuk po e mbledhin veten e tyre pas gjithë skandaleve dhe deklaratave anti-semite. Jeremy Corbyn është në një disfatë të rrezikshme, e cila nuk vjen nga Partia Konservatore, por nga vetë partia që ai drejton.
Ndërkohë, Konservatorët janë në një situatë më të keqe akoma. Kjo, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëdha dhe të shumllojshmërisë së fraksioneve brenda partisë.
Që prej vitit 2010, Partia Konservatore britanike ka qenë në qeverisje. Ish-Kryeministri laburist Gordon Brown dështoi në zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit, duke i hapur rrugën drejt qeverisjes koalicionit mes Konservatorëve dhe Liberal Demokratëve. Megjithëse gjërat ishin duke shkuar mirë për Konservatorët, humbja e tyre e parë ishte dorëheqja e David Cameron si lideri i partisë dhe si Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar menjëherë pas daljes së rezultatit të referendumit të Brexit.
Kjo nuk ishte pak për David Cameronin, i cili u bë edhe kryefjala e skandalit të Letrave të Panamasë, pasi babai i tij ishte i përfshirë. U bë bujë e madhe në mediat britanike dhe jo vetëm; lajmi u bë i njohur ndërkombëtarisht.
Pas dorëheqjes së Cameron si lider i Konservatorëve dhe Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, drejtimin e vendit e mori e famshmja Theresa May. Kjo e fundit ka pasur karrierë të gjatë në jetën publike dhe politike, duke nisur që nga roli i saj si një deputete e thjeshtë dhe deri tek postet më të larta të qeverisjes konservatore. Pavarësisht kësaj, arsyeja se përse ajo i bënte më të pasigurt njerëzit ishte qëndrimi i saj në lidhje me Brexit, pasi ajo, në të vërtetë, nuk kishte një qëndrim të sajin, por ishte në lëkundje të vazhdueshme.
Vizioni i May-t për një “Londër Globale”, disa javë pas referendumit dhe marrjes së detyrës, shkaktoi shumë pakënaqësi midis Konservatorëve dhe partive të tjera të spektrit të djathtë (mes tyre edhe UKIP dhe Best for Britain). Megjithatë, ajo u perpoq të dukej guximtare dhe bujare duke thirrur për zgjedhje speciale në vitin 2017. Ishte një mënyrë për të thirrur dhe ngjallur besimin tek njerëzit, të cilët nuk shikonin një rrugëzgjidhje tek drejtimi i saj. Zgjedhjet ishin shkatërruese për partine e saj. Nuk arriti të merrte një shumicë të mjaftueshme për të qeverisur e vetme dhe u detyrua përsëri të formonte një koalicion, kete rradhë me DUP, për të mbajtur qeverisjen. Humbjet në numër ishin të mëdha. Por May nuk u dorëzua, përkundrazi u përpoq të dukej sa më e fortë para opinionit të publikut, për të dorëzuar marrëveshjen më të mirë — sipas saj — për daljen nga Bashkimi Europian.
Madje, shumë nxituan ta komentonin situatën si një përsëritje kohore. Ishte i gabuar krahasimi i marrëdhënieve Reagan-Thatcher me marrëdhëniet Trump-May, pasi Trump mund të jetë një Reagan, por May kurrë nuk mund të jetë një Thatcher.
Ndërsa, Liberal Demokratët e krahasuan May-n me Nigel Farage, liderin e fushatës së Brexit, ose siç e quaj unë, “The Bad Boy of Brexit”. Gabim, edhe kjo!
Gjithsesi, humbjet e fundit të May-t në parlamentin britanik dhe dorëheqjet e ministrave të saj më të rëndësishëm vitin e kaluar, e dobësuan aq shumë qeverisjen e saj, sa që kjo e fundit u detyrua të thotë se nëse marrëveshja e saj kalon, ajo do të dorëhiqet si Kryeministre.
Çfare entuziazmi për Laburistët dhe Liberal Demokratët ky! Por më shumë se kaq, Konservatorët e tjerë janë akoma edhe më të entuziazmuar. Disa figura të forta dhe me bazë të madhe votuesish nga partia Konservatore, si Boris Johnson (ish-Ministri i Punëve të Jashtme) dhe Jacob Rees-Mogg (një nga deputetët më kontradiktorë me partinë e tij) janë bërë gati t’a votojnë propozimin e May-t vetëm e vetëm që ajo të japë dorëheqjen. Të dy shquhen për euroskepticizmin e tyre të theksuar, sidomos Rees-Mogg. Ata kanë një karrierë të madhe brenda partisë dhe kanë qenë prej kohësh figura të mirënjohura në politikën britanike, prandaj me shumë gjasa mund të jenë pasardhësit e Theresa May-t.
Megjithatë, situata politike është në një gjëndje të vështirë. May është duke u përballur me një parlament që po ja hedh poshtë të gjitha planet. Deklarata e saj e fundit se do të japë dorëheqjen nëse plani i saj fiton, ka krijuar një paralizim të parlamentit. Kjo gjë e bën atë fituese. Pakënaqësitë që ajo ka shkaktuar në trupin legjislativ të Mbretërisë së Bashkuar mund të jenë të shumta, por mënyra se si May po vepron, e lan atë nga çdo gjë.
Ka dy mundësi se si do të shkojnë gjërat në këtë situatë.
- Laburistët i bashkohen Konservatorëve për të votuar propozimin e May-t për daljen nga Bashkimi Europian. Theresa May jep dorëheqjen e saj dhe një tjetër Konservator (nga ana e euroskeptikëve) merr në dorë postin e Kryeministrit post-Brexit.
- Laburistët, duke e pasur më të lehtë të luftojnë May-n (se sa ndonjë Konservator tjetër), nuk e votojnë propozimin e saj. Nëse shumica nuk e pranon propozimin e saj, ajo qëndron ende në qeverisje, duke e mbajtur akoma gjallë debatin në lidhje me daljen.
Sido që të shkojnë ngjarjet, kemi një Nigel Farage që po bëhet gati për një fushatë gjigande. “The Bad Boy of Brexit” mund të jetë njeriu më influencues, edhe pse është jashtë parlamentit britanik. The Brexit Party — partia e tij e re — ka një popullaritet në rritje, duke marrë edhe një numër të konsiderueshëm votuesish nga UKIP — ish-partia që Farage drejtonte. Farage është kundra dhe do bëjë fushatë kundra të dyja rrugëve të lartpërmendura. Kështu, këtu na krijohet një rrugë e tretë, të cilës mund t’i bashkohen edhe deputëtë të tjerë nga rradhët e Konservatorëve.
Çfarë do të ndodhë nëse Farage fiton përsëri? Me shumë mundësi, May do të japë dorëheqjen dhe nuk do të ketë kohë për arritjen e një marrëveshjeje konkrete, duke e lënë Mbretërinë e Bashkuar të dalë prej Bashkimit Europian pa marrëveshje (No Deal Brexit): ëndrra dhe qëillimi më i madh i Nigel Farage. Mos harrojmë se Farage është shumë i zgjuar dhe e manovron situatën në anën e tij dhe në kohën e duhur.
Ndërkohë, ende nuk ka siguri për situatën post-Brexit. Ngelet mister se si do të ndryshojnë marrëdhëniet mes Britanise dhe BE, marrëdhëniet mes Anglisë, Uellsit, Skocisë dhe Irlandës së Veriut dhe marrëdhëniet e ardhshme mes Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Gjithsesi, ne nuk na mbetet gjë tjetër, vetëm të ngremë hipoteza nga më të ndryshmet në lidhje me politikën britanike, e cila, përgjithësisht, është e mërzitshme, por në këto situata bëhet më interesante se çdo gjë tjetër.