Nga qyteti i Durrësit, kryeministri Edi Rama ka ironizuar protestat e opozitës. Gjatë fjalës së tij në aktivitin “Bashkia që Duam”, kreu i qeverisë thotë se protesta e opozitës është një furtunë në got.
Rama: Vijnë kur ka parlament, një herë në muaj në bulevard. Mua më vjen mirë që do vijnë në Durrës, sepse do mund të shohin, jo vetëm të dëgjojnë. Do kenë rastin të shohin Durrësin siç nuk e kanë parë dhe ndërkohë që do vihet nesër gramafoni për Dakon, ata do të shikojnë punët e bëra nga Dako dhe bashkia e Durrësit. Kështu do bëjnë edhe krahasimin mes Durrësit për të cilin kam dëgjuar lloj lloj çudirash dhe qytetet nga vijnë, krahasimit të këtij sheshi dhe shesheve të qyteteve nga vijnë. Apo me siguri do të shkojnë tek Veliera për të parë se çfarë krimi i madh bëhet dhe ndërkohë që diçka e re dhe çdo ditë e më bindëse është duke marrë formë aty.
Sot isha me disa gazetarë italianë që kishin ardhur për turizmin. Po flisja për çfarë ofron Shqipëria dhe në fund i thashë, që ofrojmë edhe protesta. Ata hapën sytë, çfarë po thotë. Po i thashë, kujt i qëllojnë pushimet me të enjten në mes mund të vijnë tek Parlamenti mund të vijnë dhe të shohin si zhvillohet një protestë. Kujt i qëllon në një datë të caktuar të një muaji mund të shohë bulevardin me protestues. Por i thashë janë protesta që zhvillohen si një furtunë në got dhe jo siç i keni parë ju në televizione apo fotot e artikujve që shoqërojnë protestat që ndodhin këtu. Janë protestues profesionistë, punonjës bashkie që nuk u shërbejnë qytetarëve në rast se agjencia turistike i nis për protestë.