Diplomati i njohur: Qeveria të reflektojë para një katastrofe të mundshme

0
22
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

I ftuar në News 24, diplomati i njohur Agim Nesho ka komentuar vendimin e parlamentit holandez për rikthimin e regjimit të vizave me Shqipërinë duke u shprehur se, vendimi në fjalë tregon se qeverisja e Shqipërisë ka probleme.
Sipas tij, qeveria duhet të reflektojë përpara një katastrofe të mundshme.
“Vendimi i marrë nga parlamenti holandez, që u mbështet nga parti në qeveri dhe në opozitë atje, tregon se vendi ynë ka probleme, duke nisur nga largimi masiv i shqiptarëve deri te lidhjet kriminale të qeverisjes. Qeveria jonë duhet të reflektojë përpara ndonjë katastrofe të mundshme”, deklaroi Nesho.
Sipas ish ambasadorit të Shqipërisë në OKB, votimi i parlamentit të Holandës për kthim të vizave për shqiptarët duhet të jetë kambanë alarmë. Ai renditi edhe disa probleme kryesore me të cilat përballet sot vendi ynë.
“Vendimi i parlamentit të Holandës duhet të jetë alarmues. Ka një sërë problemesh në Shqipëri, që sigurisht reflektohen edhe jashtë. Është realitet fakti se shqiptarët janë larguar masivisht. Është fatkeqësi që shqiptarët largohen sot si sirianët në luftë apo si afrikanët që preken nga ebola. Ka edhe rritje të kërkesave për azil nga vendi ynë. Shqipëria ka një sërë problemesh dhe BE i ka evidentuar. Shqipëria, siç thuhet në raporte të BE ka probleme me kapjen e shtetit, korrupsionin, lidhjeve të qeverisjes me krimin e organizuar, ka mosfunksionim të shtetit”, tha Nesho.
Diplomati Nesho tha mes tjerash se nuk duhet të rrezikohet integrimi i Shqipërisë në BE dhe as interesat e shqiptarëve.
“Kemi dështuar në ndërtimin e një demokracie funksionale”, shtoi Agim Nesho.

Zjarr Tv Ad