Pas takimit të zgjatur për afro një orë me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, Lulzim Basha zbuloi se çfarë është diskutuar.
Kryedemokrati tha se opozita do të vazhdojë në të gjitha planet aksionin e saj.
“Nesër në ora 18.00, aksioni do të shtrihet në të 12 qarqet e vendit për bllokimin e akseve kryesore rrugore si një përshkallëzim i mosbindjes civile. Ndërkohë paradite në orën 11.00 do të shpalosim detyra e qeverisë tranzitore si dhe po punojmë për programet për ofertën që do të shpalosim për shqiptarët”, u shpreh Basha.
Lidhur me një takim të mundshëm të ndërmjetësuar me Kryeministrin Edi Rama, ai tha se asgjë nuk ka ndryshuar nga qëndrimi i opozitës.
Sipas tij largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm për ti hapur rrugë dialogut politik që do të çojë në krijimin e qeverisë tranzitore.