Haradinaj zbardh prapaskenat e Berlinit: Rama-Thaçi, “presion në anglisht” për heqjen e taksës

0
28
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Samiti i Berlinit nuk solli asnjë ndryshim edhe në lidhje me taksën që qeveria e Kosovës i ka vendosur Serbisë pavarësisht se duket se një nga temat më të të diskutuara ka qenë dhe kjo. Vetë kryeministri kosovar Ramush Haradinaj ka konfirmuar madje se dy nga njerëzit që kanë ushtruar më shumë presion për këtë çështje kanë qenë kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Haradinaj madje ka thënë se ata kanë ushtruar më shumë presion se vetë Presidenti serb.

Haradinaj: Edhe dje u përsërit ajo që më ka ndodhë edhe në të kaluarën. Isha krejtësisht i vetëm në një qëndrim. Më vështirë ishte. Më shumë më bënin presion Presidenti Thaçi dhe Edi Rama me e heq taksën sesa udhëheqësit e tjerë botërorë. Insistonin që unë me respektu kërkesën e kancelares dhe presidentit Macron, se ky është një shans i mirë, kjo është një mundësi për Kosovën etj, mos me e humb këtë shans, e ku e di unë. Një insistim direkt i pandalshëm. Në një gjuhë që ishte në anglisht, që e merrnin vesh edhe kancelarja edhe presidenti Macron.

Nëntorin e vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama kishte ndarë të tjera pikëpamje gjatë takimit të dy qeverive duke e mbrojtur taksën si një vendim normal përballë qasjeve irracionale të Serbisë.

Megjithatë kreu i qeverisë së Kosovës shprehet i vendosur që taksa do të hiqet vetëm kur Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

Haradinaj: Nuk besoj se ka dikush dilema që njohja është formula. Të gjithë e kemi atë formulë, me na njoft Serbia. Por si me ardhë deri te njohja, nuk duhet me dobësu pozicionin e Kosovës tek taksa. Heqja e taksës në start të dobëson.

Në samitin e ardhshëm të korrikut me palën serbe që mbahet në Paris, Haradinaj tha se e ka konfirmuar pjesëmarrjen së bashku me presidentin Thaçi.

Meqenëse pritet të flitet për dialogun, shefi i qeverisë ka bërë të ditur se atyre mund t’u bashkohet edhe delegacioni shtetëror i drejtuar nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, porse tema e korrigjimit të kufijve mbetet një vijë e pakalueshme.

 

Zjarr Tv Ad