Juventusi do të luajë mbrëmjen e nesërme derbin me Torinon, i cili është gjithmonë një ndeshje që ndez qytetin e famshëm italian. Allegri ka dalë në konferencë për shtyp ditën e sotme dhe ka folur për sfidën e nesërme, të ardhmen e tij, dhe Ronaldon e Mesin.
“Çdo vit vazhdon e njëjta gjë, pesë vjet që jam këtu e njëjta gjë. Kemi dhe një muaj kohë që të respektojmë precedentët e tjerë dhe për të planifikuar dhe për të ndriçuar atë që do të ndodhi sezonin tjetër. Po e përsëris për të disatën herë dhe përgjigja është shumë e thjeshtë. Duhet të takohemi me presidentin për të programuar gjërat, për të folur për vitin që po lemë pas, për gjërat që kanë shkuar mirë dhe ato që kanë shkuar keq”, sqaroi tekniku i bardhezinjve për të ardhmen e tij.
Në lidhje me rivalitetin e Messit me Ronaldon, Allegri tha: “Për Cristianon, Messi është një stimul shumë i mirë. Ata kanë kapur kuotën e 600 golave dhe vazhdojnë. Ronaldo do që të fitojë çmimin e golashënuesit më të mirë në Itali. Kur kanë nisur kanë qenë të ndryshëm nga kjo që janë tani. Ata janë të ndryshëm, por shumë të fortë”.