Përpara se të zgjidhej presidenti i amerikanëve në vitin 2016, Donald Trump theksonte se suksesin e tij si biznesmen do e përkthente në punë dhe marrëveshje më të mira për vendin. Por një artikull i fundit i “New York Times” tregon se tri dekada më parë kreu i Shtëpisë së Bardhë pësoi një seri falimentesh të cilat rezultuan në humbjen e mbi 1,2 miliardë dollarëve.
Bizneset e presidentit amerikan, Donald Trump, humbën më shumë se 1 miliard dollarë brenda një dekade duke nisur nga viti 1985.
Në bazë të transkripteve të siguruara nga gazeta prestigjioze “New York Times” humbjet në fillimvitet 90 arritën mbi 250 milionë dollarë.
Këto deficite të mëdha ndihmuan magnatin e hoteleve, kazinove dhe pasurive imobiliare që të shmangë taksat për 10 vite më radhë.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë vazhdimisht e ka etiketuar veten e tij si një miliarder dhe negociator i klasit të parë që ka korrur sukses vetëm falë forcave të veta.
Rivalët e tij demokratë prej vitesh kërkojnë që Trump t’i bëjë publike të ardhurat personale dhe të bizneseve të tij, pasi druhen se mund të ketë konflikte interesi ose ka shmangur taksat përmes skemave të dyshimta të falimentit.
Një kërkesë e tillë i është drejtuar edhe ministrisë vendëse të financave, por këtë javë kreut i dikasterit, Stiven Menuçin, u përgjigj se nuk shihte arsye ligjore për kërkesën e demokratëve.
Vetë presidenti amerikan ka theksuar se bizneset e tij po analizohen nga kontrollorët financiarë ndaj nuk mund të publikohen.
Ndërkaq, prej zgjedhjes së tij në zyrën më të lartë të shtetit amerikan, të gjitha bizneset e organizatës Trump, me një qarkullim vjetor rreth 10 miliardë dollarë, i kanë kaluar djemve të tij.