Referendum në Rumani për reformat në gjyqësor

0
11
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Rumunët po votojnë në një referendum mbi përpjekjet e koalicionit qeverisës të majtë, për të përmbysur reformat anti-korrupsion, në vendin, që konsiderohet si ndër më të korruptuarit në Bashkimin Evropian.

Referendumi, që po mbahet së bashku me votimet për Parlamentin e ri Evropian, u thirr nga presidenti rumun, Klaus Iohannis, i cili mbështetet nga opozita e qendrës së djathtë.

Votuesit do t’i përgjigjen dy pyetjeve në këtë referendum.

Pyetja e parë është: A mbështesni ndalimin e amnistisë dhe faljes në rastet e lidhura me korrupsionin? Ndërkaq, pyetja e dytë: A mbështesni ndalimin e miratimit nga Qeveria e urdhrave të jashtëzakonshëm, në fushën e krimeve, ndëshkimeve dhe organizimit gjyqësor dhe zgjatjen e të drejtës për ankesë drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese?

“Drejtësia është çështje e interesit kombëtar dhe njerëzit kanë të drejtë të vendosin nëse duan apo jo që korrupsioni të bëhet politikë shtetërore”, deklaroi presidenti Iohannis, kur shpalli mbajtjen e referendumit, përcjell rel.

Në muajin shkurt, mijëra qytetarë kishin protestuar në Rumani, pasi Qeveria e majtë kishte miratuar masat emergjente – pa bërë fillimisht një debat publik për to – masa të cilat, sipas kritikëve, kufizojnë pavarësinë e prokurorëve.

Këto masa ishin në vazhdën e disa ndryshimeve legjislative që ka bërë Qeveria e udhëhequr nga Paria Social-Demokrate, e cila erdhi në pushtet dy vjet më parë. Ndryshimet e bëra nga kjo qeveri, nxitën shqetësim në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara, mbi sundimin e ligjit në Rumani.

Partia Social-Demokrate kundërshton referendumin dhe miratoi një dekret që ndryshoi pragun e votimit, duke bërë që referendumi të jetë i vlefshëm vetëm nëse në votime marrin pjesë 30 për qind e votuesve të regjistruar në listat kombëtare.

 

Zjarr Tv Ad