Presidenti Donald Trump përfundoi të martën një vizitë katër-ditore në Japoni; të dy udhëheqësit theksuan nevojën e zgjerimit të bashkëpunimit në fushën ushtarake, ndërsa Kina vazhdon fuqizimin e saj.
Edhe pse ata nuk e përmendën Kinën me emër në diskutime, por shqetësimi i tyre ndaj politikave të Pekinit në Paqësor ishte i pranishëm.
Të martën më herët, kryeministri japonez Shinzo Abe e priti presidentin Trump në kuvertën e anijes JS Kaga, një nga helikoptermbajtëset japoneze që së shpejti do të konvertohet për të mbajtur një variant të avionëve luftarakë supersonikë amerikanë F-35.
Paskësaj, Presidenti Trump mbajti një fjalim para marinarëve amerikanë në anijen luftarake USS Wasp, ku ai përmendi shitjen e 105 avionëve të tjerë F-35 Lightning II, secili me kosto rreth 100 milionë dollarë, duke thënë se avionët “do t’i ndihmojnë kombet tona të mbrohen nga një sërë kërcënimesh komplekse në rajon”.
Të martën në darkë Presidenti Trump kthehet në Uashington./