Grupe qytetarësh serbë dolën të mërkurën në një protestë për të kundërshtuar operacionet e policisë sikurse ai i një dite më parë që çoi në arrestimin e 19 zyrtarëve policor nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar dhe kontrabandë.
Ndonëse në mesin e të arrestuarve ka edhe shqiptarë e boshnjakë, përfaqësuesit e serbëve në veri thanë se operacioni ishte i drejtuar kundër komunitetit serb, një qëndrim që u ritheksua të hënën edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Pesë pjesëtarë të policisë së Kosovës, pësuan plagë me armë zjarri dhe lëndime gjatë përplasjeve me grupe serbësh që bllokuan rrugët në komunën e Zubin Potokut, një nga katër komunat me shumicë serbe ne veri. Gjashtë qytetarë pësuan lëndime po ashtu gjatë përplasjeve.
Operacioni nxiti tensione të larta në veri dhe ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Në Beograd, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se ka urdhëruar që ushtria dhe policia të jenë në gjendje gatishmërie dhe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtare që të ndërhyjë për të “frenuar Prishtinën”.
“Në rast të çfarëdo prishje serioze të rendit ose rrezikimi të jetëve të serbëve në veriun e Kosovës, forcat tona të armatosura do të mbrojnë njerëzit tanë. Ajo që mund të ju siguroj është se nëse konflikti përshkallëzohet, nëse ka ende sulme ndaj serbëve, krejt çka mund të ju them është se Serbia do të fitojë”, tha ai të martën në një fjalim në parlamentin e Serbisë.
Në Prishtinë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kjo “është një deklaratë populiste, që kryesisht ka parasysh opinionin e brendshëm në Serbi. Presidenti i Serbisë Vuçiç e di shumë mirë se nuk mund të lëvizë në drejtim të Kosovës, diçka që është e pamundur dhe e pa imagjinueshme dhe edhe vet ai është i bindur, por në çdo rast institucionet e Republikës së Kosovës duke përfshirë edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës janë në gjendje gatishmërie”, tha ai.
Forcat paqeruajtëse të NATO-s thanë ndërkaq se ky bëhej fjalë për “një operacion policor dhe se as Forca e Sigurisë së Kosovës ose ndonjë forcë tjetër ushtarake nuk është vendosur në veri të Kosovës”. Duke u bërë thirrje palëve që të të merren me mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi, pa përdorimin e forcës, KFOR-i theksoi se “njerëzit duhet të qëndrojnë të qetë dhe nuk ka asgjë për t’u frikësuar”.
Bashkimi Evropian bëri thirrje për përmbajtje dhe komunikim ndërmjet palëve, ndërsa forcat e KFOR-it thanë të mërkurën se Beogradi kishte njohuri për operacionin dhe se për këtë kishte folur që më parë edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.
Ky i fundit kritikoi forcat e NATO-së por edhe Bashkimin Evropian për qëndrimin ndaj operacionit, ndrysa mohoi të ketë marrë informacione nga NATO-ja për të. Ai tha se nga burimet informative e ka kuptuar se po përgatitet diçka dhe se ai ka folur për këtë në publik para më shumë se dhjetë ditësh.
“I kemi njoftuar. Që nga 17 maji kemi kërkuar që të mos e bëjnë një gjë të tillë. Kur kanë thënë se iu duhet për shkak të luftës kundër korrupsionit, atëherë njerëzit tanë në zyrën për Kosovën kanë kërkuar që të mos futen në veri, por t’iu dërgojnë thirrje të dyshuarve. Është e rëndësishme të shohim se kë e kanë informuar para 17 majit”, tha ai duke theksuar ndërkaq se qëllimi i Prishtinës është frikësimi i serbëve në veriun e Kosovës.
Autoritetet në Prishtinë pohojnë se operacioni ishte drejtuar ndaj individëve të dyshuar për veprimtari kriminale dhe ai është shtrire edhe në tri komuna tjera më shumicë shqiptare.