17 persona midis të cilëve 7 shqiptarë kanë rënë në pranga e Policisë italiane, pas një hetimi gati 2 vjeçar të ndërrmarrë nga Policia Italiane, si të implikuar në trafikun e lëndëve narkotike.
Shkak për rënien në gjurmët e tyre u bë konfiskimi i një sasie droge të dërguar me poste.
Ishin pikërisht të dhënat e transportit, nga ku filluan edhe përgjimet telefonike, ku u arrit të ndërtohej rruga e trafikut nga Shqipëria drejt krahinave të Trentos.
Koka e grupit thuhet se është një 34 vjeçar që është ende në kërkim.
Droga fillimisht blihej në Evropën Lindore, më pas kalonte në Shqipëri ndërsa baza logjistike ndodhej në Breshia të Italisë.
Droga ishte e cilësisë së lartë dhe shitej 100 euro për një gram kokainë, me ulje minimale, vetëm në rastin e blerjeve të mëdha.