Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledi Çuçi i cilëson biseda normale që ndodhin normal dhe në gjithë botën. Duke folur në rubrikën “Opinion” në News24, një ditë pas publikimit të përgjimeve nga gazeta gjermane “Bild” ku implikohen në biseda me personazhe të krimit zyrtarë të lartë të PS, Çuçi tha se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, fabula dihej dhe se çdo politikan në të gjithë botën komunikon me të gjithë në fushatë elektorale.
“Janë biseda që rëndomë në periudha fushatash bëhen jo vetëm në Shqipëri por në gjithë botën. Nuk është se ka ndonjë…ai ishte i lirë në momentin që janë bërë përgjimet. Ai ishte një njeri i lirë që nuk ishte i proceduar nga organet ligjzbatuese.
Nuk e di a është ai që u arrestua dhe u la i lirë. Kjo është një ngjarje që ka ndodhur më vonë nga përgjimet. Duhet t’i vëmë edhe ngjarjet në kronologji. E ka arrestuar po kjo polici, po kjo qeveri por ta marrim si çështje që ka të bëjë me favorizime. Nga kjo pikëpamje nuk shoh asgjë të çuditshme. Dihej fabula sepse nga kjo dosje kanë dalë dhe përgjime të tjera. Publiku besoj e ka marrë, i ka dëgjuar dhe është bindur se aty nuk ka asgjë të jashtëzakonshme nga zakoni jo i zakonshëm i politikës shqiptare. Por prapë them se çdo politikan në gjithë botën komunikon me të gjithë. Edhe po të ishte i arrestuar prapë legjitimohet që politikani t’i kërkojë votën”, deklaroi Çuçi.
Ai theksoi se e sheh problemin tek prokuroria, tek mos-hetimi dhe dalja e sekretit hetimor.
“Unë e shoh si një problem që ka të bëjë me prokurorinë. Ka dy momente që e komprometojnë prokurorinë. momenti i parë pse prokuroria nuk e ka hetuar këtë çështje që në momentin që ka marrë përgjimin konkret. Bëhen 2 vite që përgjimi është administruar dhe nuk ka bërë asnjë veprim dhe e dyta nxjerrja e sekretit hetimor. Të dyja këto janë probleme shumë më të rënda se sa ato përgjime”, tha ministri. (BalkanWeb)