Edhe pse Presidenti, Ilir Meta anuloi me dekret datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, madje duke e firmosur live atë, për kryeministrin Edi Rama, e maxhorancën qeverisëse duket se asgjë nuk ka ndryshuar. Socialistët janë të vendosur në zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa vijojnë fushatën elektorale, me të zgjedhurit vendorë në cdo qark të vendit. Mbetur në fushatë, maxhoranca qeverisëse ka vënë në zbatim edhe ligjet përkatëse që pengojnë subjektet zgjedhore në këtë proces.
Në akuzat e ngritura ndaj mbështetësve të PD në Librazhd, të cilët një ditë më parë u grumbulluan për t’i penguar rrugën kryeministrit Edi Rama për të mbërritur në takimin e radhës elektoral, ku nuk munguan edhe përplasjet me forcat e rendit, policia ka ngritur një tjetër akuzë ndaj tyre, duke qenë se maxhoranca qeverisëse thotë se ka hyrë në muajin e fushatës.
Krahas akuzave të ngritura edhe më parë ndaj protestuesve në Tiranë, si “Organizimit, pjesëmarrjes në grumbullime, manifestime të paligjshme”, dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” ndaj të ndaluarëve në Librazhd, është ngritur edhe “Pengimi i subjekteve zgjedhore”.
Kjo akuzë, e cila ngrihet për herë të parë ndaj protestuesve, është e pasqyruar në nenin 325 të Kodit Penal, i cili parashikon dënimin me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
“Pengimi me dhunë apo me cdo mënyrë tjetër i subjekteve elektorale për të zhvilluar rregullisht aktivitetin e tyre në përputhje me ligjin gjatë fushatës së zgjedhjeve dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”- thuhet në nenin 325 të Kodit Penal.
Kështu, protestuesit e PD-së, tani e në vijim, deri në përfundim të fushatës elektorale, do të akuzohen edhe për pengim të subjekteve zgjedhore duke rrezikuar nga gjobë deri në 3 vite burgim.