Kina tha se do të vendosë sanksione ndaj kompanive amerikane që i shesin armë Tajvanit, pasi Uashingtoni miratoi shitjen e mundshme të tankeve, raketave dhe pajisjeve tjera në vlerë prej 2.2 miliardë dollarë.
Ministria e Jashtme e Kinës tha se shitja e armëve dëmton sovranitetin e Kinës, si dhe ndikon në sigurinë kombëtare të saj.
Shtetet e Bashkuara janë furnizuesi kryesor i armëve për Tajvanin e vetë-qeverisur, të cilin Kina e konsideron një krahinë të saj. Pekini nuk ka hequr dorë kurrë nga mundësia e përdorimit të forcës për ta sjellë ishullin nën kontrollin e tij.
Një diplomat kinez, Wang Yi, paralajmëroi SHBA-të, se “nuk duhet të luajnë me zjarrin” në çështjen e Tajvanit.
Gjatë një vizite në Hungari, Wang tha se asnjë forcë e huaj nuk mund të ndalojë ribashkimin e Kinës, dhe asnjë forcë e huaj nuk duhet të përpiqet të ndërhyjë.
Zyra e Presidentit të Tajvanit shprehu mirënjohje për Qeverinë e SHBA-së për shitjen e armëve.
“Tajvani do t’i përshpejtojë investimet në mbrojtje dhe do të vazhdojë të thellojë lidhjet e sigurisë me Shtetet e Bashkuara dhe vendet me ide të ngjashme”, tha zëdhënësi presidencial, Chang Tun-han.
Marrëdhëniet midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara kanë qenë të tensionuara në muajt e fundit për shkak të tregtisë dhe asaj që Uashingtoni e konsideron si militarizim të Kinës në Detin e Kinës Jugore.