Sllovenia do të vendosë pengesa shtesë në kufirin me Kroacinë, me qëllim që të ndalojë migrantët e paligjshëm.
Ministria e Punëve të Brendshme e Sllovenisë, konfirmoi se instalimi i pengesave të përkohshme, do të përfshijë vijën kufitare me Kroacinë, në gjatësi prej 40 kilometrash.
Vesna Mitriq, zyrtare në ministrinë e Brendshme të Sllovenisë, i tha gazetës, Veçerni List, se vendosja e barrierës në kufirin me Kroacinë “është në përputhje me një plan të miratuar” por që nuk mund të japë më shumë detaje.
Kufiri midis Kroacisë dhe Sllovenisë është 671 kilometra. Sllovenia filloi të instalonte tela gjemborë gjatë krizës së migracionit në vitin 2015, dhe që atëherë ka vendosur në 50 lokacione. Media sllovene, raportojnë se në vitin 2017 qeveria shpenzoi 6.6 milionë euro për vendosjen e pengesave.
Vendet e Ballkanit kanë shërbyer si korridor për shumë migrantë, që kanë ikur nga zonat e luftës dhe varfëria shkruan REL. Agjencia Evropiane e Kufijve, Frontex, po vazhdon bashkëpunimin me disa vende të Ballkanit, përmes kontrolleve të përbashkëta kufitare.
BE-ja vendosi të dërgojë njësitet e saja kufitare në këto vende, pas fluksit të migrantëve në të ashtuquajturin “Korridori i Ballkanit”.
Mijëra migrantë që ikin nga lufta dhe varfëria, kanë lëvizur nëpër Ballkan, në përpjekje për të arritur te vendet e pasura në Perëndim.