Pas deklaratës së ish-deputetes së PD Albana Vokshi se në spitalet tona mungon sëmuri antitetanik, ka ardhur reagimi nga ana e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor dhe Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
Agjencia Kombëtare e Barnave bën me dije se qendrat shëndetësore dhe spitalet janë të pajisura me serumet antitetanik dhe antivipera që në fillim të sezonit turistik. Sipas kësaj agjencie, deklaratat e thëna në media nga ish-deputetja Vokshi janë bërë për kauza politike.
Reagimi i Operatorit të Kujdesit Shëndetësor dhe Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore:
Nisur nga disa informacione të rreme, Operatori i Kujdesit Shëndetësor dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore sqarojnë opinionon publik se qendrat shëndetësore dhe spitalet janë të pajisura me serumet antitetanik dhe antivipera që në fillim të sezonit turistik.
Furnizimi i tyre u bë nëpërmjet gjendjes së importuar që kishin subjektet farmaceutike si dhe importit të fundit të bërë në muajin qershor. Ndërkohë, një sasi tjetër e këtyre medikamenteve është hedhur në farmacitë e rrjetit të hapur me pullën e kontrollit të barnave. Ndërkohë që spitalet e zonave bregdetare janë furnizuar të parët me serumet antitetanik dhe antivipera.
Gjatë vitit 2018 tre subjekte farmaceutike, kanë kryer importin një sasie prej 8500 njësi tetanosi, dhe në shkurt 2019 një sasi prej 6000 njësi tetanosi. Ndërkohë që në Dhjetor 2018 janë importuar 920 flakonë me anti-vipera dhe Qershor 2019 janë importuar 900 flakonë me antivipera.
Informojmë që prej vitesh tregu farmaceutik nuk ka pasur mungesa të anti-viperave dhe antitetanosit, pasi janë marrë të gjitha masat për çdo incident të mundshëm.