SHISH bën bilancin/ Ja si e luftojmë terrorizmin në Shqipëri

0
37
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shërbimi Informativ i Shtetit ka publikuar në faqen e tij zyrtare një përmbledhje mbi gjendjen e sigurisë në Shqipëri.

Në material trajtohen temat e veprimtarisë në fushën e kundërzbulimit, kërcënimin terrorist në rajon, sa është realisht e rrezikuar Shqipëria nga kjo dukuri, si dhe masat e marra nga agjencitë e sundimit të ligjit.

Terrorizmi është një kërcënim global dhe lufta ndaj tij është përparësi shumë e rëndësishme për SHISH-in. Ne vlerësojmë se ISIS/DAESH, Al-Kaeda dhe degët apo grupimet e lidhura me to janë mes grupeve terroriste që paraqesin kërcënim potencial për vendin tonë, rajonin e më gjerë.

SHISH-i bashkëpunon ngushtë me institucionet shtetërore, agjencitë ligjzbatuese dhe shërbimet partnere, në kuadër të monitorimit dhe parandalimit të veprimtarive terroriste brenda dhe jashtë vendit. SHISH-i është i fokusuar edhe në monitorimin e përpjekjeve për indoktrinim, radikalizim e rekrutim të shtetasve shqiptarë në këto organizata.

Pas trysnisë ushtarake, humbjes së Kalifatit të vetëshpallur fizik, reduktimit të financave dhe burimeve njerëzore, ISIS/DAESH ka filluar tashmë zbatimin e strategjisë së shndërrimit në një lëvizje klandestine, e cila vijon të përbëjë kërcënim për sigurinë ndërkombëtare. SHISH-i vlerëson se kthime masive të luftëtarëve të huaj terroristë (LHT) nuk janë të pritshme në terma afatshkurtër.

Një pjesë e tyre, mund të tentojë të kthehet në vendet e origjinës ose në vende të treta, nëpërmjet rrjeteve të trafikut njerëzor dhe krimit të organizuar. Me gjasë, organizata do të tentojë të ringrihet në rajone me vakum sigurie.

Vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor u përdorën, në fillimet e konfliktit në Siri, si rajone për rekrutime, çka solli një numër të lartë LHT nga rajoni. ISIS/DAESH dhe Al-Kaeda e kanë shënjestruar në vijimësi rajonin nëpërmjet propagandës, thirrjeve e nxitjeve për akte terroriste. Aktualisht, gjendja paraqitet e përmirësuar, vendet e rajonit kanë përforcuar masat kundër terrorizmit, kanë vënë në zbatim strategji efektive e reforma ligjore në luftën kundër terrorizmit si dhe kanë forcuar bashkëpunimin rajonal e ndërkombëtar.

Niveli i kërcënimit për akte terroriste në rajon vijon të vlerësohet i ulët, por me prirje në rritje, sidomos në prag të ngjarjeve simbolike. Deri tani, në rajon nuk ka pasur akte terroriste të bashkërenduara me pasojë viktima, por nuk kanë munguar nxitjet, organizimet për të tilla, të cilat kanë gjetur terren të përshtatshëm në individë të radikalizuar, të gatshëm për t’iu përgjigjur thirrjeve të tyre. Synimet dhe planet për akte terrori janë identifikuar dhe neutralizuar në fazë të hershme.

Udhëtimet e LHT nga Shqipëria drejt organizatave terroriste, pas vitit 2015 e në vijim, janë ulur ndjeshëm e po shkojnë drejt ndërprerjes. Numri i të raportuarve të vrarë është rritur: 21% e numrit total. Rreth një e treta e tyre janë kthyer tashmë, kryesisht para adresimeve ligjore. Në terma të përgjithshëm, të kthyerit në rajon kanë ruajtur profil të ulët por, shumë prej LHT të kthyer në vendet e origjinës kanë gjetur të njëjtat kushte jetese, çka ka ndikuar në radikalizmin e mëtejshëm të tyre dhe vijimin e veprimtarive ekstremiste apo bërjen pjesë të komploteve të zbuluara terroriste.

Vlerësojmë se, mundësia që vendi ynë dhe rajoni të përdoren si vend tranzit për luftëtarët e huaj apo operativët terroristë drejt vendeve evropiane është në nivel të ulët, për shkak të forcimit të menaxhimit të kufijve dhe bashkëpunimit dypalësh, rajonal apo ndërkombëtar me shërbimet partnere strategjike. Rreziku dhe sfidat nga kjo kategori mbeten konstante, për shkak të vështirësive në identifikimin e tyre, të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara apo nga mundësimi i kalimeve të jashtëligjshme nga rrjete e individë të përfshirë në trafikun njerëzor.

Dënimet e LHT, ndryshimet në legjislacion, për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm, kanë qenë efektive në uljen e radikalizmit dhe rekrutimit në vend dhe në gjithë rajonin. Vendet e rajonit i janë bashkuar Koalicionit Global Kundër ISIS/DAESH, kanë zhvilluar një kuadër ligjor gjithëpërfshirës për të kriminalizuar aktivitetet e lidhura me terrorizmin dhe janë duke zbatuar në mënyrë aktive Rezolutën 2178 të KS të OKB-së.

Është rritur në mënyrë domethënëse shkëmbimi i informacionit dhe bashkëpunimi dypalësh, rajonal e shumëpalësh. Janë realizuar disa aksione policore për arrestimin e personave të dyshuar për veprimtari që lidhen me terrorizmin. Është bërë e mundur identifikimi dhe kapja e personave në kërkim ndërkombëtar për çështje të terrorizmit.

Synimi i vazhdueshëm i SHISH-it është vlerësimi i kërcënimeve terroriste në terma afatshkurtra, afatmesme e afatgjata, si dhe bashkëpunimi me institucionet e tjera. Me këtë synim, SHISH-i ka forcuar më tej  bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, Prokurorinë, AISM-në dhe agjenci të tjera ligjzbatuese. SHISH-i ka dhënë dhe jep një kontribut të vlerësuar edhe për Aleancën e Atlantikut të Veriut në luftën kundër terrorizmit.

Për trajtimin e shkaqeve të radikalizimit që nxit ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin, Qeveria e RSH-së ka hartuar dhe po zbaton “Strategjinë kundër ekstremizmit të dhunshëm”, me qëllim angazhimin e të gjithë shoqërisë në trajtimin e kësaj dukurie. SHISH-i monitoron gjithashtu edhe individë dhe grupe të përfshirë në veprimtari ekstremiste, nacionaliste apo shoviniste, për aq kohë sa ata kryejnë veprimtari të tilla dhe shkelin Kushtetutën e ligjet e RSH-së, bëjnë thirrje për dhunë mbi motive ideologjike, fetare, politike, raciale apo kombëtare. SHISH-i është i fokusuar edhe në monitorimin e organizatave të ngjashme në rajon, të cilat, me veprimtarinë e tyre, përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare dhe atë rajonale.

 

Zjarr Tv Ad