Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në një konferencë të thirrur për media, po flet për Gjykatën Speciale, arsyet pse Qeveria Haradinaj është dashur të bie… E në fillim të saj theksoi se Haradinajn e kanë paralajmëruar se ‘sa më afër gjarprit aq më i rrezikuar je’.
Albin Kurti kur flet për gjarpërin i drejtohet presidentit Hashim Thaçi, për shkak të nofkës që presidenti e kishte në luftë.
‘Ish-kryeministrin e kemi paralajmëruar disa herë sa më afër gjarprit aq më i rrezikuar je’, tha Kurti në konferencë.
Rexhep Selimi e ka paralajmëruar në Kuvend, shtoi ai.
‘Sot ne i vuajmë pasojat e qëndrimeve të liga dhe vendimeve të gabuara vite me parë kur politikanët që deshën më shumë vetëveten sesa shtetin Kosovës ia bënë të keqen’, tha ai për themelimin e Gjykatës Speciale.
Shpresa është te Vetëvendosja dhe zgjedhjet e reja, tha Kurti.
‘Nuk e kemi më një qeveri që ishte e mbrapshtë dhe e pashpresë tash shpresa është te ndryshimi, të zgjedhjet, të liria te demokracia te VV-ja’, tha Kurti. Konferenca është duke vazhduar… Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte.
Kohëve të fundit, lideri i AAK-së prishi raportet me Liderin e PDK-së, Kadri Veselin, i cili nga Ëashingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.
Udhëheqësi i partisë së pestë në Kosovë mbeti i vetëm në luftën për të mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.
Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt.