Komisioni Europian ka paditur Hungarinë në Gjykatën Europiane të Drejtësisë për shkak të një nisme ligjore që shkel të drejtat e emigrantëve dhe azilkërkuesve.
Ligji i titulluar “Stop Sorosit” parashikon ndjekje penale ndaj çdo individi dhe organizate që i vjen në ndihmë emigrantëve, si edhe dënon personat që aplikojnë për azil në Hungari kur vijnë nga vende ku nuk u rrezikohet jeta apo liria e tyre.
Ligji është përpiluar duke pasur si referencë miliarderin hungarezo-amerikan, George Soros, të cilin kryeministri i vendit, Viktor Orban, e akuzon si frymëzues të emigracionit masiv të viteve të fundit në Evropë.
Sipas Brukselit, nisma anti-Soros nuk është në pajtim me kornizën ligjore europiane apo ndërkombëtare.
Organi ekzekutiv i BE-së ka nisur një tjetër procedim kundër Hungarisë për kushtet e këqija në të cilat strehohen emigrantët në kufi me Serbinë, pasi raportohet se disave prej tyre u mohohet ushqimi.
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, i ka mirëpritur reagimet e Brukselit dhe ka ftuar qeverinë hungareze të ndërrojë kurs pasi ligjet dhe politikat ksenofobe nuk do të tolerohen.
Ndërkaq, në Budapest kabineti qeveritar po përgatit mbrojtjen në gjykatën europiane.
Zëdhënësi i partisë Fides të Viktor Orban tha se ligji i kontestuar është në interes të popullit hungarez dhe të kulturës së krishterë europiane.
Sipas qeverisë, qytetarët e kanë treguar qëndrimin e tyre të qartë rreth kësaj çështjeje qoftë në referendum, edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare apo europiane, duke dhënë mesazhin se emigracioni nuk është problemi i tyre.