Etiopia ka shënuar një rekord të ri botëror duke mbjellë më shumë se 350 milion pemë të reja brenda një dite.
Fushata e titulluar “Trashëgimia e Gjelbër” synon ripyllëzimin e vendit për të parandaluar katastrofat mjedisore që vijnë si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe procesit të shkretëtirëzimit.
Nismës së gjelbër të shpallur nga kryeministri i vendit, Abiu Ahmed, iu përgjigjën të hënën miliona qytetarë.
Nëpunësit e shtetit po ashtu u lejuan të shkëputen nga puna për të mbjellë fidanë të rinj.
Në përfundim të aktivitetit, autoritetet njoftuan se vullnetarët kishin mbjellë mbi 353 milionë e 633 mijë pemë në vetëm 12 orë.
Deri në muajin tetor, Etiopia parashikon që të mbjellë rreth 4 miliardë fidanë të rinj në total.
Shteti verilindor afrikan ka sipërfaqe drusore në vetëm 4 për qind të territorit, hapësirë e cila është zvogëluar me tetë herë krahasuar me 100 vite më parë.
Vendi po vuan efektet e krizës klimatike, me degradim dhe gërryerje të tokës, shpyllëzim dhe përmbytje të përsëritura që kanë dëmtuar bujqësinë vendase.
Nisma etiopiane e pyllëzimit të vendit ka frymëzuar lëvizje të ngjashme në mbarë botën, pasi mendohet se nëse do të rimbilleshin të gjitha pemët e prera në shekujt e fundit, do të parandalohej dy e treta e ngrohjes globale të shkaktuar nga gazrat e karbonit në atmosferë.