Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në një prononcim për mediat u pyet edhe në lidhje me marrëveshjen e arritur dje mes maxhorancës dhe opozitës për rregulloren e brendshme për komisionin Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit.
Balla theksoi se gjithçka mund të zgjidhet përmes uljes në një tryezë dhe përmes dialogut. Po ashtu ai theksoi se me dakordësi të plotë, javën që vjen pritet të ngrihet edhe Komisioni për Reformën Zgjedhore. Dje arritët marrëveshjen e parë me PD në komisionin për 25 prillin, biseda e nisur me Rushajn u finalizua me votimin e deputetëve, a është vetëm fillimi i një kompromisi me PD, do të negocioni për çështje të tjera?
Deklarata e Ballës:
“Kuvendi i Shqipërisë është vendi i dialogut politik. Dëshiroj dhe dua të shpreh gatishmërinë e PS dhe grupit të saj parlamentar, se disponibiliteti ynë për dialog dhe gatishmëria jonë për të bashkëpunuar për çështje që lidhen jo vetëm me punën parlamentare por me reforma duhen çuar para, është i pakursyer. Asaj që ju i referoheni, përmes grupeve parlamentare në Kuvend ka dialog. Ne kemi diskutuar në Konferencën e kryetarëve me përgjegjshmëri për të zhbllokuar çdo lloj ngërçi që krijohet përgjatë punës, qoftë në komisionin e posaçëm që ju i referoheni. Besoj se kjo punë e mirë që po vijon, kjo klimë dialogu konstruktiv duhet të vazhdoje. Secila palë ka axhendën e vetë, por ajo që dua të apeloj sot është që gjithçka mund ta zgjidhim përmes uljes në një tryezë për të gjitha çështjet. Javën e ardhme do të kemi besoj miratimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Ne jo vetëm që kemi dakordësinë e plotë për ngritjen e komisionit, por do të prezantojmë dhe përbërjen e këtij komisioni nga ana e PS. Ju kujtoj se komisionet e posaçme kanë formulën e bashkëdrejtimit, një nga PS dhe një nga PD.
Besoj se PD do të jetë gati brenda ditës së martë që të diskutojmë për të ngritur sa më shpejt komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Ne duhet ta institucionalizojmë këtë moment të rëndësishëm për këto çështje që duhen diskutuar. PD ka ardhur me disa propozime konkrete, për të cilat Rama dhe unë e kam thënë, ne jemi 100% të hapur për të diskutuar çështjet, pa asnjë lloj pengese dhe parakushti. Por duhen ndjekur procedurat parlamentare. 39 deputetë te PS kanë propozuar një ndryshim kushtetutës që lidhet me kohëzgjatjen e afatit te institucioneve të vettingut, me qëllim që ky proces të përfundojë. Thirrja ime është për grupet parlamentare të opozitës, që t’i miratojmë këto ndryshime sa më shpejtë. Miqtë tanë ndërkombëtarë bëjnë thirrje që të miratohen këto ndryshime deri në fund të këtij sesioni parlamentar.”, tha Balla.