Pas takimit me ambasadoren Yuri Kim, presidenti Meta ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka folur edhe për reformën zgjedhore dhe konsensusin mes palëve.
Pyetje: Nuk e keni përjashtuar që të kemi reformë zgjedhore pa konsensus, dhe aktualisht jemi në këtë fazë. Ambasadorja amerikane tha se topi është në fushën e PD-së. A e shprehu këtë mendim? A ishte ky takim tregues se ajo ju vlerëson edhe ju si aktor në këtë reformë? Dhe a mendoni se PS duhet të bëjë lëshime?
Meta: Nuk kam qenë pjesë e diskutimeve dhe nuk e shoh të arsyeshme që të jem pjesë e këtyre diskutimeve dhe dëshiroj e apeloj për konsensus, pasi është detyrim ndaj qytetarëve që duhet të kenë sa më shumë siguri se vota e tyre do të jetë e lirë. Së dyti është detyrim ndaj procesit të integrimit dhe data 8 qershor është e rëndësishme, dhe të arrihet një konsensus që KE ta shënojë si një datë të rëndësishme.
Duket se ka një progres dhe duket se çështja ka ngelur në disa çështje që kërkojnë mirëbesim që nuk duhet të rrezikojnë konsensusin. Unë di që opozita nuk ka vendosur si kusht të domosdoshme qeverinë tranzitore dhe mendoj se kjo është dicka pozitive. Uroj që sa më shpejt të kemi një lajm pozitiv.