A janë të Edi Ramës kullat që po legalizohen?

0
73
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Thuhet se i vetmi rast kur thashethemi nuk të pëlqen, është kur ti vetë je në qendër të gojëve të liga. Kështu u duk se i kishte ndodhur edhe Edi Ramës.

Thashethemin se ai ka pjesë në kullat në Tiranë, e krahasoi me një “gjemb”. E tha vetë i pari se nuk i patën pëlqyer fjalët që kishte nxjerrë pronari i një kulle, me kate shtesë pa leje dhe se e kishte personale, që do t’i provonte të kundërtën.

Kush nuk do të irritohej nga skenarët që ia ngrenë padrejtësisht pas krahëve? Me këtë inat në nofulla, Rama doli në televizor në datën 7 shtator para shpurës së policëve, që pati mbledhur në Ministrinë e Brendshme. Ua bëri të qartë se duhej të konfiskonin katet pa leje të Tiranës, sapo ai të firmoste vendimin e qeverisë. Kësaj radhe e kishte personale.

“Këta janë ata që u thuhet se ndajnë katet me mua. Se e kam edhe personale këtë, po nuk dua të përmend emra”, iu hakërrye nga ekrani milionerëve llafazanë. Dukej sikur dikush e kishte tepruar duke folur lart e poshtë. Atyre që nuk ia dëgjuan mesazhin nga valët e televizorit, i sqaroi në Facebook, duke përmendur ata që “përbaltin papushim emrin tim apo punën e qeverisë dhe bashkisë, duke më asociuar poshtërsisht me fitime imagjinare nga ndërtimet në Tiranë a kudoqoftë”.

Thashethemi u duk se i kishte djegur dhe vendimi i qeverisë doli shpejt. Në ERTV u futën live ministrat që do t’i vinin pronarët me shpatulla pas muri. Belinda Balluku u tha se “zbuloi” një pallat pa leje në Farkë. Bledi Çuçi foli para një godine e disa kate pa leje edhe kjo në Tiranë.

Nga ndëshkim në legalizim

Mjafton të lexosh vendimin e qeverisë për të kuptuar se loja në prapaskenë është tjetër. Sipas ligjit aktual, nuk është çudi që me një shtesë të vogël pa leje të përfundosh në burg. Masat janë disa:

1- vendosje gjobe, sipas llojit të shkeljes

2- vendoset prishje e ndërtimit të kundërligjshëm

3- përgatitet kallëzim penal për veprat penale të konstatuara gjatë kontrollit

Si Rama, edhe ministrat e vinin theksin tek konfiskimi. Por në realitet, vendimi që mori qeveria kishte edhe “parablerje”.

Pasi IKMT të konstatojë shtesat apo ndërtimet pa leje, vërtet objekti futet në procedurë konfiskimi, por pronarit i jepet e drejta ta parablejë atë me çmimin e tregut. “Nëse subjekti shpreh interesin për të parablerë punimet pa leje, ministri përgjegjës për administrimin e pronave shtetërore kryen procedurën e parablerjes” thuhet në pikën 12 të VKM.

Qindra arrestime ndër vite

Kjo do të thotë që ligji për më të pasurit është shumë e zbutur, madje i jep atyre një pozicion të privilegjuar që praktikisht çon në legalizimin e pronës.

Shmanget kallëzimi penal. Shmanget burgu.

Jo më kot, këto ditë janë rikthyer në kujtesë qindra arrestime që kanë ndodhur për shumë më pak. Dikush për avllinë, dikush për shkallët, një tjetër për një dritare. Asnjë nuk kishte ndërtuar pallat. Asnjë nuk kishte “shpifur” për kryeministrin dora vetë.

Atëherë përse u zbut ligji për më të pasurit? Përse u premtua ndëshkim, kur do të bëhej legalizim?Mos ndoshta fjalët që Rama i hodhi si thashethem, ato që pronarët e kullave i flasin lart e poshtë, se i ndajnë pronat e paligjshme me kryeministrin, është i vërtetë?/Lapsi.al

Zjarr Tv Ad