Kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, ndryshe nga kryebashkiakët e tjerë zgjodhi të jepte një prononcim për media pas mbledhjes së mbajtur me kryeministrin Rama në lidhje me situatën e ujsjellësave në vend. Ademi u pyet nga gazetarët nëse është gati për zgjedhje lokale nëse i tillë do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Në përgjigjen e saj kryebashkiakja tha se për këtë duhet pritur vendimi i 2 nënorit. “Do duhet të presim vendimin e 2 nëntorit”, tha ajo.
Gjithashtu Ademi vlerësoi punën e bërë nga bashkia që ajo drejton për ofrimin e ujit të pijshëm 24-orë për qytetarët e Shkodrës. “Unë kam detyrën që të përgjigjem për bashkinë e Shkodrës, ne ofrojmë ujë të pijshëm 24 orë në qytet, performojmë më mirë kur bëhet fjalë për çmimin, kemi rritur ujin e matshëm në mënyrë të dukshme.
Duhet të kemi në konsideratë çdo indikator, nga viti 2016 kur e morën, në Bashkinë Shkodër nuk ka pasur investime, ne kemi investuar vetë, edhe pse duket në shifra modeste. Ne kemi adresuar edhe pranë ministrisë nevojën për investime, për të shmangur humbjet”, tha Ademi.