Nisma e bashkisë së Tiranës “Abone falas për studentët” që nisi zbatimin nga 1 nëntori 2022 ka reduktuar për secilin operator në Tiranë 37% shitjet e biletave.
Operatorët ngrenë shqetësimin se rënia e biletave po tkurr fitimet e tyre, në një kohë kur ata po vuajnë edhe shtimin e kostove nga shtrenjtimi i çmimit të naftës dhe ulja e numrit të pasagjerëve 35% më pak se vjet.
Për dhënien falas të aboneve të studentëve operatorët kompensohen nga bashkia 600 lekë, ndërsa çmimi i abonesë në treg të lirë është 1,600 lekë.
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas në letrën drejtuar bashkisë së Tiranës thekson se nisma të tilla duhet të marrin në konsideratë interesat e të gjithë grupeve.
Shoqata kërkon kompensim 100% të çmimit të abonesë për studentët ose në të kundërt bashkia duhet të miratojë kërkesën për dyfishimin e çmimit të biletës ditore nga 40 lekë në 80 lekë.
“Edhe ne jemi dakort me nismën “Abone falas për studentët”, por kjo nuk duhet të bëhet në “kurriz” të operatorëve dhe aq më tepër duke i çuar ata drejt falimentit me politika dhe vendimmarrje të prera”, thuhet në letër.
Për Shoqatën e Transportit në kushtet kur nuk përcaktohet një vlerë proporcionale e kompesimit të abonesë me çmimin e tregut, transporti publik qytetas do të detyrohet që të kërkojë rritje të çmimit të biletës ditore, për të mbijetuar.
Drejtuesi i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas Kostandin Foni tha për Monitor se humbjet e operatorëve nga rënia e shitjes së biletave parashikohet të thellohen për muajin dhjetor, pasi te nisma “Abone falas për studentët” do të përfshihen edhe studentët e universiteteve publike.
Në fund të muajit tetor Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas në një letër drejtuar kryetarit të bashkisë Tiranë Erjon Veliaj dhe ministres së Arsimit Evis Kushi kërkonte rimbursimin e plotë në vlerën e 1,600 lekë të aboneve të studentëve që shpërndahen falas, pasi dhënia e tyre falas rrezikonte falimentimin e operatorëve. Në kryeqytet operojnë 11 kompani të transportit urban për 16 linja.
Kërkesë e Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas drejtuar Bashkisë së Tiranës për marrje masash të menjëhershme në zgjidhjen e kolapsit të krijuar në transportin urban qytetas si pasojë e shpërndarjes së abonesë falas për studentët.
Në përgjigje të shkresës nr. 619, dt 01.11.2022, sqarojmë se jemi në dijeni të dispozitave ligjore dhe parashikimeve që ato kanë, por kërkesat tona janë të lidhura me problematikat praktike të cilat në kushtet aktuale e bëjnë të pamundur ofrimin cilësor të shërbimit publik qytetas deri në vështirësi financiare apo pamundësi për operim nga operatorët e këtyre linjave.
Kjo domosdoshmërish tregon se nevojat e operatorëve janë më të mëdha dhe ligji apo vendimet e marra nga Bashkia Tiranë janë jo efektive.
Gjithashtu vendimmarrjet janë marrë pa konsultime paraprake me grupet e interesit, pa u njohur situata në terren dhe vështirësitë që kanë operatorët në realizimin e disa veprimtarive të menjëhershme dhe të pa trajtuara, siç është edhe shpërndarja falas e abonesë të studentëve.
Gjithashtu kushtet aktuale kanë ndryshuar dhe ato nuk janë marrë në konsideratë, në përcaktimin e vendimarrjeve të marra dhe kompensimin e ofruar. Për këtë dhe Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas ka kërkuar përmes operatorëve të saj takim me kryetarin për të trajtuar pikërisht këto problematika.
Ashtu sikurse ju përcaktoni në shkresën tuaj sqaroni se mbështetur në Vendimin Nr. 66 datë 30.12.2015 të Këshillit Bashkiak për “Indeksimin e tarifave të transportit qytetës në Bashkinë e Tiranë”, pika 1. nënpika 1.1.4 parashikon tarifën e transportit per studentët:
“Për biletë pajtimi mujor, të përgjithshëm, për studentët, për të gjithë linjat 600 (gjashtëqind) lekë, (duke përfshirë dhe TVSH).”
Një dispozitë e tillë ka qënë proporcionale deri në momentin që aboneja e studentit nuk ishte përcaktuar falas, pasi operatorët kanë pasur mundësinë e nxjerrjes së fitimit edhe me shitjen e biletave ditore dhe mujore. Me aplikimin në terren të vendimit dhe shpërndarjen e aboneve falas për secilin operator shitja e biletës ka rënë me 37% dhe fitimet janë ulur ndjeshëm, duke sjellë kështu operimin me humbje ose operimin pa asnjë fitim, ku kompensimi në vlerën e mësipërme nga Bashkia Tiranë vlera 600lekë/për abone studenti nuk i ndihmon aspak operatorët, për ta bërë më të përballueshme këtë situatë të vështirë. Duke parë këto humbje dhe operimin në kushte të tilla, cila është forma që operatorët mund të mbrohen, kur vendimmarrjet merren nga vetë organi përgjegjës pa u konsultuar me grupet e interesit dhe vlerat e kompensimit, vlera e biletave etj përcaktohen po nga organet tuaja, pa marrë fare në konsideratë asnjë faktor tjetër si rrija e çmimeve, rritja e naftës, ulja e shitjeve të biletave, pandemia dhe vështirësitë e sjella prej saj apo edhe vetë situatën që transporti ndodhet sot?
Përcaktimi i abonesë së studentit falas, është një vendimmarrje e shpejtë e cila jo vetëm që nuk është rakorduar me ne, por është njoftuar direkt për aplikim dhe zbatim në formë detyruese, pa lënë kohën e nevojshme në dispozicion se si do gjendej transporti në momentin që kjo politikë mund të realizohej dhe vihej në praktikë. Një vendimmarrje e tillë e shpejtë, duhet të marrë parasysh që kushtet sot me rritjen e çmimeve, periudhën e pandemisë, vështirësitë e operatorëve në përballimin e çmimit të naftës etj, nuk është një vendimmarrje efektive, aq më tepër pa studiuar kushtet ku gjendet transporti sot dhe pa rakorduar atë me secilin operator.
Me VENDIM Nr. 101, datë 1 9.10.2022 “PËR KOMPENSIMIN E BILETËS SË PAJTIMIT MUJOR, TË PËRGJITHSHËM (ABONESË SË STUDENTIT) PËR STUDENTËT E PAJISUR ME KARTË STUDENTI PËR TË GJITHA LINJAT, NË TRANSPORTIN QYTETAS NË BASHKINË E TIRANES” është përcaktuar dhe mënyra e kompensimit, bazuar në vendimin e mësipërm, pra kompensimi për 600 lekë/abone e “Shitur”.
Bazuar në sa më sipër me humbjet që ne si operatorë po kalojmë, ndodhemi në kushtet kur pamundësia në veprim dhe mospatja e asnjë mjeti tjetër efektiv për “shpëtimin” e transportit publik qytetas, të kërkojmë rritjen e vlerës së biletës së pajtimi mujor, të përgjithshëm, për studentët dhe automatikisht rritjen e kompensimit së kësaj bilete nga Bashkia Tiranë.
Në kushtet kur nuk përcaktohet një vlerë proporcioanle e çmimit të biletës së pajtimit mujor për studentët dhe një kompensim bazuar në vlerën e re, transporti publik qytetas do të detyrohet që të kërkojë rritje të çmimit të biletës ditore, për të mbijetuar dhe për të pasur mundësi në ofrimin e shërbimit cilësor.
Bashkia Tiranë në nisma të tilla duhet të marrë në konsideratë interesat e të gjithë grupeve. Edhe ne jemi dakort me nismën “Abone falas për studentët”, por kjo nuk duhet të bëhet në “kurriz” të operatorëve dhe aq më tepër duke i çuar ata drejt falimentit me politika dhe vendimmarrje të prera.
Nëse vazhdimisht ne hasemi me vendimmarrje të tilla, kjo tregon një paqëndrueshmëri të madhe ku dita ditës do gjendemi në kushte të ndryshme të pastudiuara, pa lënë afatet e duhura për aplikim dhe pa mbështetjen e duhur, që do e bëjnë transportin publik qytetas në gjendje të mjerueshme, duke prekur cilësinë shërbimin dhe vetë të ardhurat e qytetarëve.
Bashkia duhet të gjejë zgjidhje për këtë dhe këto zgjidhje duhet të rakordohen me ne. Në politika të tilla, operatorët e shërbimit publik qytetas nuk duhet të njihen me vendimmarrjen e marrë në pak kohë dhe thjesht ta zbatojnë atë, pavarësisht se ajo vendimmarrje i çon në pamundësi objektive dhe fizike për të vepruar dhe me humbje të mëdha. Qëllimi i transportit publik qytetas nuk është vetëm ofrimi I shërbimit, por ofrimi I një shërbimi cilësor, të shpejtë dhe të sigurt, duke e bërë transportin qytetas gjithnjë e më shumë popullor dhe të pëlqyer. Për ta arritur këtë duhet që dhe organet përgjegjëse të marrin masa proporcionale, pa dëmtuar “biznesin” dhe pa pasur qëllim shtyrjen e shërbimit drejt mosfunksionalitetit dhe falimentit.
Për këtë, për të përcaktuar një masë të drejtë kompensimi për operatorët, bazuar në gjendjen aktuale kërkojmë që Bashkia Tiranë, të marrë në konsideratë dhe kushtet e mëposhtme:
Inflacioni sot është rritur 10%;
Rritja e lubrifikantëve dhe pjesëve të këmbimit me 35%;
Nga rritja e pagës kemi një rritje të kontributeve me 20%;
Ulja e numrit të pasagjerëve 30-35%;
Rritja e çmimit të karburantit 40%;
Rritja e Euroborit, shtrenjtimi I kredive mbi normën që kanë aktualisht është rritur 4%;
Abonetë e studentit Falas, ndikim në rritjen e abuzivitetit, pra ulja e numrit të udhëtarëve me biletë ditore ku e vetmja e ardhur që kanë operatorët është bileta ditore dhe biletat e pajtimit mujore.
Shpresojmë që kërkesa jonë të trajtohet me seriozitet dhe jo thjesht të citohen ligjet dhe vendimet e marra, sepse ato I njohim dhe I aplikojmë çdo ditë. Qëllimi është të krijojmë politika dhe mbështetjen e duhur për të ofruar një shërbim cilësor dhe të kënaqshëm për të gjitha palët.
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas
KRYETAR
Kostandin Foni
/Monitor