Në tetor të 2017, një e mitur denoncoi në polici fqinjin e saj, Ligor Biba për përdhunim. Kur e mitura bëri denoncimin, ishte në muajin e tetë të shtatzënisë. Ndërsa sot, Ligor Biba ka marrë dënimin, edhe pse për muaj me rradhë ai nuk pranoi abuzimin seksual me të miturën.
Gjykata e Korçës e ka dënuar me 4 vite e 8 muaj burg, edhe pse prokuroria kërkoi 8 vite burg për 55-vjeçarin. Biba ka pranuar fajësinë për ngjarjen, fill pas analizës se ADN-së, e cila doli disa javë më parë.
Me pranimin, ai përfitoi uljen e 1/3 se dënimit, si pasojë e aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Përfundimisht, Biba do të vuajë dënimin prej 4.8 vitesh burg.
ADN-ja
Analiza e ADN-së së foshnjës së 15- vjeçares në fshatin Velçan të Pogradecit, nxori se pretendimi i të miturës se i ati i fëmijës ishte fqinji i saj 55-vjeçar, ishte i saktë. Përgjigja e ADN-së doli disa javë pas ngjarjes.
Ngjarja
Ngjarja u zbulua tetorin e vitit të kaluar kur 15-vjeçarja e shoqëruar nga prindërit denoncoi se ishte abuzuar seksualisht nga 55-vjeçari. Situata ishte edhe më e rëndë pasi vajza, nxënëse e klasës së 9-të, ishte në muajin e tetë të shtatzënisë. Ndërsa vetë vajza identifikoi fqinjin e saj si personin përgjegjës për këtë ngjarje, vetë Ligor Biba, por edhe familjarët e tij, e përjashtuan mundësinë që ai të kishte kryer marrëdhënie seksuale me të miturën.