Në seancën maratonë që po mbahet në Gjykatën e Posaçme të Apelit, trupa gjykuese ka rrëzuar kërkesën e palës mbrojtëse të ish-kryeprokurorit.
Në vendimin e ndërmjetëm që ka dhënë pak minuta më parë, trupa gjykuese rrëzoi kërksën për akt ekspertim për sëmundjen e Llallës, nga e cila vuan dhe ndodhet në regjim spitalor si dhe ekspertimet për vlerën e një banese, e cila u bë shkak për dënimin e tij.
Tashmë trupa gjykuese është tërhequr për dhënien e vendimit përfundimtar në ngarkim të ish-kryeprokurorit të cilin shkalla e parë e dënoi me 2 vite burg. Vetë Llalla nuk është i pranishëm në këtë seancë, pasi sipas avokatit ai është në spital për shkak të sëmundjes nga e cila vuan.
Gjatë mbrojtjes avokati Sokol Hazizaj pretendoi se procesi i hetimit dhe gjykimit ishte i paragjykuar, gjithashtu shtoi se Gjykata e Posacme është në kushte të moskompetencës për dosjen dhe vendimi është i pavlfshëm. Të pranishëm në seancën ndaj Llallës, ishin edhe dy përfaqësues të ambasadës amerikane, si dhe një tjeter i OSBE.