Diplomati Agim Nesho foli në Syri Tv për luftën në Ukrainë ku deklaroi se Rusia ka shkelur të gjitha vijat e kuqe dhe nuk po tregon asnjë kujdes ndaj popullsisë civile. Nesho tha se Rusia tashmë ka nisur taktikat e vjetra, i ka lyer duart me gjak dhe duhet të mbajë përgjegjësi. Ndër të tjera diplomati u shpreh se Rusia ka treguar se është e dobët.
“Civilët po mbrojnë vendin e tyre. Forcat ruse duke mos pasur mundësi të avancojnë shpejt, bombardojnë dhe pastaj përpiqen të krijojnë hapësira duke u futur në qytetet e populluara. Rusia ka shkelur të gjitha kodet humane, të drejtën ndërkombëtare, ka lyer duart me gjak. Perëndimi, vendet e botës i kanë kërkuar Gjykatës së Hagës të hapin një proces.”-tha Nesho.
Diplomati theksoi se Rusia nuk e ka marrë parasysh se rezistenca e një populli kur sulmohet do të ishte në këtë stad. Nesho mendon se bisedimet Rusi-Ukrainë do vazhdojnë dhe do respektohet vullneti i liderëve të Ukrainës të cilët po rezistojnë.
“Nga bisedimet duket që Rusia kundërshton përqasjen ndaj këtyre bisedimeve dhe kushteve që përcakton Zelensky. Kjo tregon se Rusia është e dobët dhe nga dita në ditë, Ukraina do ketë një impuls të rimarrjes së vetes, organizimit të ri të saj, jo vetëm në luftë frontale por dhe ato vullnetare për të mbrojtur qytetet e tyre.”-tha Nesho.
Nesho është i mendimit se propaganda ruse nuk flet më për çarmatim total të Ukrainës, që ishte një nga tre kushtet kryesore që Putin i vendosi Ukrainës.
“Në këtë kuptim mendoj që vetë dy nga këto kushte tashmë nuk përfillen më, siç është heqja e Zelenskyt, së dyti jo çmilitarizim të plotë të Ukrainës, tregojnë se forca dhe rezistenca e Ukrainës në negociatat e ardhshme të kemi një diskutim më thelbësor. Heroizëm i një vendi, i rezistoi deri tani. Kemi patur një tërheqje. Zelensky po thotë se në tryezën e bisedimeve mund të shikojë futjen e Ukrainës në NATO.”-tha Nesho.
Në përfundim, diplomati Agim Nesho foli në Syri Tv edhe për nismën Ballkani i Hapur. Nesho thotë se kjo nismë s’është marrë në mënyrë të përbashkët institucionale nga gjithë Shqipëria por një projekt individual i Ramës.
“Kërkonte që një doktrinë për të sjellë dominimin serb në rajonin e ballkanit tonë ta përkrahte për interesa individuale dhe jo interesa e prespektiva të çështjes shqiptare. Mendoj se Rama mbron projektin e tij pë rarsye se nuk dihet sa larg është futur në këto projekte. Ka qenë iniciues me Vuçiç dhe për ndryshimin e kufijve.”-tha Nesho.