Agron Duka: Vendi po shkon drejt monizmit, do ngremë qytetarët të mos e pranojnë keqqeverisjen e Ramës

0
16
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka komentuar situatën politike në vend, duke e ndalur theksin tek kriza politike që po kalon vendi, axhenda e opozitës, sjellja e mazhorancës dhe debati Qeveri-Presidencë. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, kreu i PAA shprehu bindjen se vendi ndodhet në një situatë kritike, duke iu bërë thirrje aktorëve politikë që të reflektojnë, pasi në të kundër rrezikohet të shkohet drejt përplasjes civile. Në këtë kontekst, zoti Duka theksoi se stabiliteti i vendit është më i rëndësishëm se pushteti i kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar këtij të fundit që të pranojë kërkesat e opozitës, në mënyrë që të marrë fund kriza. Madje, duke komentuar krizën politike numri një i Ambientalistëve vuri në dukje faktin se një nga arsyet që kjo krizë është prezent në Shqipëri lidhet ngushtësisht me sistemin zgjedhor, për të cilin kërkoi urgjentisht që të ndryshojë. Sa i takon vendimit të Presidentit Ilir Meta për të ç’dekretuar datën e zgjedhjeve lokale, ai theksoi se është një vendim i drejtë dhe objektiv. Ndërkohë, Duka e ndali theksin edhe tek situata ekonomike në vend për të cilën tha se është përkeqësuar. Megjithatë, zoti Duka teksa zbuloi programin e partisë që ai drejton, garantoi se PAA ka një plan konkret për të stimuluar dhe rritur ekonominë.

Zoti Duka, Presidenti Ilir Meta pak ditë më parë anuloi zgjedhjet lokale. Por pavarësisht anulimit të zgjedhjeve, mazhoranca qeverisëse këmbëngul se do të hyjë në zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa dekretin e presidentit e ka quajtur anti-kushtetues. Madje, të unifikuar gjithë zyrtarët e PS kanë shpërthyer në akuza dhe sulme në adresë te kreut të shtetit. A është normale kjo situatë?

Sigurisht kjo nuk është një situatë aspak normale. Në një vend normal, vendimi i Presidentit do të shërbente si një mënyrë për të tejkaluar krizën. Duke mos shfrytëzuar këtë mundësi dialogu, mazhoranca tregoi se nuk ka vullnet për të zgjidhur atë, si dhe nuk ka vullnet për të adresuar të gjitha shkaqet që kanë krijuar këtë krizë. Në gjykimin tonë, kjo sjellje e rëndon pozicionin e mazhorancës, ose më mirë të grupit drejtues të Rilindjes, pasi socialistët kanë një tjetër qasje ndaj situatës politike.

Përtej akuzave të ndërsjellta mes Presidencës dhe Qeverisë, mazhoranca ka ndërrmarë  një nismë, duke kërkuar shkarkimin e Presidentit. Keni një koment?

Në mungesë së Gjykatës Kushtetuese, kjo mbetet një manovër politike për të ndezur një debat shterpë, dhe asgjë më shumë. Madje edhe debati parlamentar i së enjtes u devijua nga qëllimet fillestare. Nga një seancë për shkarkimin e Presidentit u kthye në një maratonë fjalësh kundër dekretit të tij.

Pas anulimit të zgjedhjeve, Presidenti Ilir Meta iu bëri apel partive politike që të nisin dialogun me të, në mënyrë që ai të vendosë një datë të re zgjedhjesh. Të parët që iu përgjigjët thirrjes së tij, ishit ju, ose më saktë partitë e “Grupimit të Qendrës së Djathtë”. Mund të na thoni çfarë diskutuat në tryezën me presidentin dhe sa të kënaqur dolët nga ai takimi?

Presidenti po vepron si një aktor i përgjegjshëm i politikës shqiptare, dhe nisur nga anulimi i zgjedhjeve të 30 qershorit, ka nisur konsultimet për datën e re. Ne si ‘Grupim i Qendrës së Djathtë’, kemi qenë të parët që kërkuam angazhimin e Presidentit në zgjidhjen e krizës, për këtë arsye ishim edhe të parët që u thirrëm në konsultime, të cilat do të vijojnë me gjithë partitë e tjera. Pra me Presidentin diskutuam mbi çështjen e datës, megjithatë ajo që duhet theksuar se problemi nuk është data në vetvete por standarde që kërkojmë për zgjedhjet. Po u krijuan standardet, data mbetet një çështje kalendarike.

Prej gati 4 muajsh ju po protestoni kundër qeverisë. Por pavarësisht këtyre tubimeve, kryeministri Rama ka shprehur vendosmërinë e tij për të mos marrë në konsideratë asnjë nga kërkesat tuaja, ndërsa ka vendosur që të shkojë në zgjedhje në 30 qershor. Cili do të jetë hapi juaj i radhës, në kushtet kur situatat është e njëjtë?

Në hartën e krizës politike, zgjedhjet e 30 qershorit janë një destinacion që shërbeu për të sensibilizuar edhe më tej opinionin e brendshëm dhe të huaj mbi situatën reale në të cilën ndodhet vendi. Vendosmërisë së mazhorancës për të vijuar zhvillimin e zgjedhjeve, edhe në kundërshtim me dekretin e publikuar në Fletoren Zyrtare, ne do t’i përgjigjemi me organizmin e gjithë qytetarëve që duan zgjedhje të lira dhe të ndershme, që nuk mund të pranojnë monizmin drejt të cilit po shkon vendi. Jam i bindur se përgjigja e tyre do të jetë pozitive, sepse askush nuk mund të pranojë vijimin e kësaj krize dhe kapjen e pushtetit nga një person i vetëm.

Ju keni zhvilluar plot 8 protesta kombëtare. A mendoni se ato kanë qenë produktive apo janë zbehur?

Sigurisht që protestat kanë shërbyer, jo vetëm në ndërgjegjësimin e qytetarëve, por edhe në krijimin e një kulture të rezistencës ndaj keqqeverisjes. Në kujtesën time nuk ka pasur një qëndresë kaq të vazhdueshme në kohë. Secila prej tyre ishte një mesazh i qartë i të gjithë atyre që kërkonin ndryshim, që një qeveri e matur do të duhet të dëgjonte.

Në disa prej tubimeve, nuk kanë munguar edhe përplasjet mes protestuesve dhe policisë. Madje, mazhoranca ju ka akuzuar se keni gjuajtur me bomba Molotov. A është normale për një opozitë që pretendon të vijë në pushtet, duke përdorur kësisoj skenarësh dhe strategjish?

Përpjekja për ta lidhur vërshimin e qindra mijëra njerëzve që kërkojnë zgjedhje të lira, një qeveri të pa lidhur me krimin dhe një ekonomin konkurruese  me disa akte të izoluara, është vetëm një mënyrë për ta përqendruar vëmendjen gjetkë. Acarimet, zemërata, reagimi kundër arrogancës nuk mund të kontrollohen. Një gjë të tillë nuk e kanë arritur vende më demokratike se i yni, mjafton të shohim çfarë ka ndodhur në të njëjtën kohë në Paris dhe Athinë. Opozita nuk po kërkon të vijë në pushtet nëpërmjet protestave, por nëpërmjet tyre kërkon krijimin e kushteve të nevojshme që ata që erdhën në pushtet me krimin t’i hapin rrugë një qeverie tranzitore, po me drejtimin e socialistëve.

Kur do zhvillohet protesta e radhës?

Protesta e opozitës po bëhet policentrike. Pra do të organizohet nëpër rrethe, duke kundërshtuar fushatën donkishoteske të mazhorancës aty ku ajo zhvillohet. Ky organizim quhet Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë dhe do të ndërgjegjësojë qytetarët për rrezikun që po i kanoset demokracisë në vend, si dhe marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues. Në mungesë të institucioneve, organizmi qytetar mbetet mjeti më i përshtatshëm. Jam i bindur se, paçka se Rilindja mund të detyrojë administratën të shkojë në votime, të gjithë qytetarët që nuk e shohin si zgjidhje kthimin në kohën kur në Shqipëri një parti kandidonte dhe një parti numëronte votat, do të reagojnë.

Opozita ku ju bëni pjesë ka paralajmëruar se nuk do të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor. A mendoni se vendi do të shkojë në përplasje civile?

Rreziku ekziston, pasi jemi de facto përballë dy Shqipërive. Njëra që pranon anulimin e zgjedhjeve dhe tjetra që nuk e pranon atë. Megjithatë, ka ende kohë për reflektim nga ana e mazhorancës, dhe rasti i zgjedhjeve në Kavajë na mëson se kryeministri do të luajë një blof deri në momentin e fundit. Por, nga momenti që kjo krizë po përshkallëzohet vetëm sepse ai nuk heq dorë nga karrigia e tij, jam i bindur se elementë të përgjegjshëm nga krahu i socialistëve dhe faktorit ndërkombëtar, roli i CDU-së do të jetë përcaktues, do të detyrojnë kryeministrin të kryejë një hap mbrapa. Pushteti i një njeriu nuk vlen sa stabiliteti i një Shteti.

Pak ditë më parë gazeta gjermane “Bild” publikoi disa përgjime të dosjes “339”, në të cilën opozita pretendon se është konsumuar krim elektoral. Sa qëndrojnë këto përgjime dhe sa të vërteta janë pretendimet e ngritura nga opozita?

Përgjimet e gazetës Bild rrëzuan perden mbi suksesin zgjedhor të mazhorancës, dhe provuan se kauza e opozitës është e drejtë. Shikoni, vetëm në dy vende në botë, në të cilat aplikohet sistemi zgjedhor proporcional rajonal, një parti e vetme ka fituar mazhorancën absolute. I pari ishte Maqedonia e Gruevskit, vend në të cilin pati krim zgjedhor. I dyti është vendi ynë në vitin 2017, dhe krimi zgjedhor po faktohet nga përgjimet zyrtare të prokurorisë.  Ky fill duket se po lidh fatin e krizës shqiptare me atë të Maqedonisë. Mendoj se edhe përfundimi do të jetë i ngjashëm.

Pas publikimit të përgjimeve, kanë reaguar edhe zyrtarët e PS, të cilët kanë mohuar se kanë qenë të përfshirë në krim elektoral, sikundër pretendoni ju si opozitë. Madje, njëri prej të akuzuarve nga opozita, siç është kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako shkoi më tej, duke iu akuzuar juve se i keni pasur Avdylajt në krah kur jeni zgjedhur deputet dhe njëkohësisht deklaroi se ju keni standart të dyfishtë, nisur nga fakti që keni garuar për parti të ndryshme. Keni një reagim për këto deklarata?

Kur nuk ka drejtësi, dhe mungesa e hetimit të shpjet dhe efikas nga Prokuroria e konfirmon këtë, bën që faktet të kthehen në interpretime. Nuk dua të komentoj deklaratat që përpiqen të relativizojnë situatën, por do shtoj diçka tjetër.  U linda dhe u rrita në Shijak, kam qenë mësues, kam qenë lojtar volejbolli për Erzenin për të paktën 15 vite, madje  në vitet ’96, ’97, ’98 kam qenë sponsorizues i ekipit të volejbollit të meshkujve, i cili arriti të fitonte tri herë Kampionatin Kombëtar dhe dy kupa Republike. Në atë zonë kam ndërtuar sipërmarrjen time dhe kam krijuar mirëqenie dhe punësuar qindra e qindra njerëz ndër vite. E gjithë kjo përvojë jete më ka bërë të fortë nga pikëpamja elektorale dhe, ndryshe nga të tjerët, nuk kam pas nevojë për të ‘fortë’ për të ardhur në pushtet dhe as për të mbajtur pushtetin.

Ju zoti Duka, jeni kryetar i një partie, baza e së cilës është bujqësia, por edhe blegtoria.  Si e shikoni ju situatën në Shqipëri dhe çfarë do të përmirësoni ju për këto 2 sektorë, kur të vinin në pushtet?

Kriza politike ka bërë që asnjë energji e qeverisë të derdhet në këtë sektor jetik për vendin. Nuk ka asnjë vizion strategjik për bujqësinë, që sipas qasjes sonë mund të jetë edhe lokomotiva tërheqëse e ekonomisë së vendit. Ne si PAA nuk duhet të shpikim asgjë, por do të ndjekim praktika të njohura në rajon, sikurse janë subvencionet e drejtpërdrejta për fermerët dhe blegtorët. Një shembull i mirë janë Kosova dhe Maqedonia, e para jep diku te 60 milionë euro subvencione ndërsa e dyta afro 150 milion euro. Këtë vit qeveria shqiptare do të disbursojë 5 apo 6 milion euro, kjo diferencë marramendëse flet më shumë se çdo gjë tjetër. Pra do të këtë një vëmendje të shtuar ndaj bujqësisë, duke përfshirë në këtë sektor specialistët dhe agronomët tek të cilët shteti ynë ka investuar në dekada, me formim dhe punësim, dhe që sot, fatkeqësisht, janë lënë rrugëve për të favorizuar punësimin e militantëve partiak.

Zjarr Tv Ad