Ajri toksik shkurton mesatarisht me 20 muaj jetën e çdo fëmije

0
25
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ekspozimi ndaj ajrit të ndotur në ambiente të brendshme dhe të jashtme po shkurton jetëgjatësinë e personave në botë. Vendet më të prekura, kryesisht në Kinë dhe Indi, raportojnë miliona vdekje çdo vit dhe një sërë sëmundjesh të frymëmarrjes dhe kardiovaskulare. Shqipëria renditet më mirë nga shumica e vendeve të Ballkanit.

Çdo fëmijë që lind sot anembanë botës pritet të jetojë mesatarisht 20 muaj më pak si pasojë e ekspozimit ndaj ajrit të ndotur. Sipas një studimi amerikan, ndotja për arsye të industrializimit, trafikut rrugor apo përdorimi i druve dhe i gazit për ngrohje e gatim, po rrit vdekshmërinë e njerëzve.

Ajri i kontaminuar paraqet po aq rrezike për shëndetin e njeriut sa katër faktorët e tjerë parësorë, si sëmundjet diabetike, duhanpirja, tensioni i lartë, konsumimi i një diete të varfër, madje edhe konsumimi i alkoolit. Raporti i fundit i titulluar “Gjendja e Ajrit në Botë” tregon se ajri i ndotur në vitin 2017 shkaktoi mbi 5 milionë vdekje.

Gjysma e tyre u raportuan në shtetet aziatike më të populluara të botës, si Kina dhe India, Bangladeshi apo Nepali, ku niveli i grimcave të rrezikshme atmosferike në ajër e kaluan normën mesatare botërore me dy deri katër herë. Studiuesit vlerësojnë se ka një lidhje të ndërsjellë mes nivelit të grimcave të rrezikshme dhe zhvillimit ekonomik të një vendi, pasi shtetet si SHBA-ja, Norvegjia, Kanadaja apo Suedia raportojnë cilësinë më të lartë të ajrit në botë ndërsa ato në zhvillim paraqiten më dobët.

“Instituti amerikan për efektet në shëndet” gjithashtu ka analizuar rastin e Shqipërisë, ku vendi duket se ka bërë hapa përpara për uljen e ndotjes së ajrit nga viti në vit, por numri i viktimave si pasojë e tij ka ardhur duke u shtuar.

Në vitet 1990, në pikat e monitorimit në Tiranë niveli i grimcave “PM2,5” raportohet të arrinte një mesatare prej 23 mikrogram për metër/kub dhe numri i rasteve fatale rreth 500, ndërsa në vitin 2017, mesatarja e grmicave të rrezikshme ishte më e ulët, vetëm 18 mikrogram për metër/kub, por numri i viktimave të diagnostikuar me sëmundje të frymëmarrjes dhe kardiovaskuale është rritur vazhdimisht duke arritur në 846. Vendi paraqitet më mirë se shumica e vendeve të tjera Ballkanit për sa i përket ndotjes dhe numrit të viktimave të shkaktuara nga ajo, duke lënë pas shtete si Mali i Zi, Serbia, Bullgaria apo vendin aktualisht me ajrin më të ndotur në gadishull, Maqedoninë.

 

Zjarr Tv Ad