Një debat i gjerë është hapur prej ditës që qeveria mori vendimin që Akademia e Studimeve Albanologjike, të kalonte në varësi të Akademisë së Shkencave.
Shumë studiues e pedagogë, të huaj dhe shqiptarë, deklaruan se Akademia e Studimeve Albanologjike është shkrirë me vendim të Këshillit të Ministrave dhe të gjitha kërkimet shkencore do të ndërpriteshin.
Mirëpo si qëndron e vërteta, a do të “shuhet” Akademia e Studimeve Albanologjike apo do kemi një fuqizim dhe thellim të kërkimeve me bashkimin me Akademinë e Shkencave?!
Me vendimin e datës 31 Maj 2023, Akademia e Studimeve Albanologjike kaloi nga një institucion në varësi të Qeverisë (Ministrisë së Arsimit), në një njësi të kërkimit shkencor pranë Akademisë së Shkencave e Shqipërisë.
Në VKM e datës 31 Maj, thuhet: “Këshilli i Ministrave vendosi: Mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe transferimin e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve të saj tek Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Njësitë kryesore ekzistuese, Qendra Kërkimore e Enciklopedisë Shqiptare dhe Botimeve dhe personeli akademik i këtyre njësive, aktualisht pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike riorganizohen si njësi të kërkim-studimit pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, brenda datës 31 dhjetor 2023.
Të gjitha asetet, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme në administrim të Akademisë së Studimeve Albanologjike kalojnë në administrim të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e cila ka detyrimin t’i ruajë dhe t’i mirëmbajë pasuritë në administrim dhe nuk mund të ndryshojë apo të tjetërsojë destinacionin e tyre, në përputhje edhe me legjislacionin në fuqi për trashëgiminë kulturore”.