Një video e publikuar nga studiuesi Auron Tare që zbulonte mendimin e vërtetë të Richard Hodges për Shqipërinë shkaktoi reagim të fortë në opinionin publik në vend. Kreu i Fondacionit që do të menaxhojë Butrintin, Richard Hodges gjatë një leksioni të mbajtur vite më parë për studentët në Romë e cilësonte Shqipërinë një shtet të krijuar artificialisht pa pasur asnjë shqiptar.
“Kjo është një tezë e vjetër greke dhe serbe dhe fatkeqësisht ka gjetur vend në perëndim tek njerëz si ky personi. Si ky mund të gjesh kudo në botë, por historia jonë e ka vërtetuar se jo vetëm që ka pasur një komb shqiptar por në Londër i është ngrënë haku nga ana territoriale” tha historiani Beqir Meta.
Ai kishte një pyetje për kryeministrin e Shqipërisë?
“I duhet drejtuar një pyetje Edi Ramës; ku e gjete këtë njeri që e solle për të marrë Butrintin? Këta janë qarqe, anti-shqiptare përderisa ka akoma teza të tilla. Kalimi i Butrintit përveçse është i dyshimtë nga ana juridike, ekonomiko-kulturore, kjo i shton edhe një element tjetër në raport me historinë, që e rendit me ata që nuk janë dashamirës me Shqipërinë dhe që janë shkelës të historisë së tyre kombëtare”.
Por sa e cenon ky njeri në krye të këtij fondacioni historinë tonë?
“Kjo element plus që i shtohet. Nuk mund të them se ky do të ndryshojë historinë tonë kombëtare, se është fakt i kryer. Me gjithë vështirësitë për të ndërtuar një shtet kombëtar dhe demokratik, por fakti që kemi një qeveri të tillë apo klasë të tillë politike kuptohet. Ky është një element negativ, por nuk mund të ndryshojë historinë tonë kombëtare” tha historiani Meta.
Megjithatë, ai shikon rrezik edhe te stafi i Richard Hodges në Butrint dhe për këtë arsye ka një thirrje për qeverinë Rama që të anulojë ligjin dhe t’i heqë menaxhimin e parkut nga duart. Ky do të përzgjedhë stafin sipas ideve të tij dhe rrymave anti-shqiptare. Nëse do të kishim një qeveri serioze dhe me ndjenja kombëtare duhet ta anulonte menjëherë” tha ai.