Një aksident i rëndë rrugor ku u përfshinë 3 automjete la të plagosur 6 shtetas, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë që u dërguan në spitalin rajonal të Shkodrës.
Përplasja u shënua në aksin rrugor Shkodër – Han i Hotit në fshatin Vrakë.
Një automjet tip Golf, një Porche dhe një BMW x6, ishin mjetet e aksidentuara, ndërsa morën lëndime personat që ndodheshin brenda tyre.
Grupi hetimor dhe efektivët e rrugores që mbërritën në vendngjarje nisën hetimet mbi shkaqet e këtij aksidenti, ku në pyetje u morën drejtuesit e mjeteve, si dhe u ndërtua skema e përplasjes.
Dyshimet e para janë që shpejtësia dhe shkelja e rregullave të qarkullimit të jenë shkaktarët kryesorë, ndikuar edhe nga kufizimi i pamjes si pasojë e errësirës në rrugë.
Megjithatë konkluzioni përfundimtar ende nuk është dhënë nga policia e cila vijon të përballet me aksidente të shpeshta në këtë segment të rëndësishëm rrugor.
Rruga nacionale Shkodër – Han i Hotit edhe pse përshkon në të gjithë kilometrat e saj zona të banuara, ajo vuan mungesën e shumë elementeve të sigurisë dhe një nga problematikat më të mëdha është shpejtësia në lëvizje e mjeteve.