Aksioni antiinformalitet sjell ndryshime edhe në Kodin e Procedurave Tatimore. Lajmi u bë i ditur sot nga ministrja e Financave, Anila Denaj.
Një gjë e tillë bëhet që të parandalojnë subjektet që t’i shpëtojnë masave ndëshkuese me anë të vendimeve gjykate, apo të “marifeteve” të tjera, që përdorin subjektet, siç tha ministrja.
Ndër të tjera, Denaj bëri një rezyme të aksionit antiinformalitet në fusha si ndërtimi, hidrokarburet, hoteleri-turizmi.
“Në hoteleri turizëm janë 2000 subjekte të ispektuara, 1400 subjekte ose 38% rezultuan me probleme në sigurimin e punonjësve. Sa i përket karburanteve, janë 231 karburante të kontrolluara. 1200 subjekte do vendosin plumbçet në të gjitha njësitë. Sa për sipërmarrësit e cigareve, pijeve alkoolike vazhdojnë kontrollet, nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj tyre. Në fushën e ndërtimit do kontrollohen 160 subjekte me rënie në xhiro. Janë përcaktuar 20 subjekte të mëdha që do të inspektohen. Ka raste që subjektet mund t’i kenë shpëtuar masave ndëshkuese, me vendim gjykate ose marifete të tjera duke na bërë që të marrim masa në ndryshimin e Kodit të Procedurave Tatimore”,- tha ajo.