Pas tërmetit Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë të gjitha masat e nevojshme për organizimin, mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e procesit. AKU në detyrën e madhe të ngarkuar edhe në mbledhjen e Qeverisë, ku u kërkua gatishmëria totale për të kontrolluar të gjitha produktet ushqimore me qëllim garantimin e sigurisë dhe cilësisë së tyre, ka hartuar një plan të menjëhershëm pune për të garantuar shëndetin dhe shërbimin efektiv ndaj banorëve të prekur.
Mbrojtja e shëndetit të banorëve të prekur është jetike në këto momente, ndaj Drejtoria Rajonale e AKU Durrës, e ndihmuar edhe nga ato të Tiranës, Elbasanit e Fierit po ushtron kontrolle rigoroze në çdo produkt, në çdo vend grumbullimi dhe shërbimi ndaj banorëve duke asistuar në mirëfunksionimin e mirëorganizimin për përballimin e situatës.